Transmetuar më 23-11-2017, 19:45

Ngjarja e rëndë e 19 Nëntorit, ku çifti i të moshuarve Maliq dhe Shahe Elezi përkatësisht 77 dhe 69 vjeç u dhunuan nga 3 grabitës në banesën e tyre, mbetet ende mister.

Të trembur dhe të kërcënuar, të moshuarit kanë përjetuar orët e tmerrit, përgjatë të cilave janë goditur me sende të rënda dhe janë rrahur barbarisht.

Sot në studion e “Rudina”, Shahe rrëfeu dhunën e ushtruar ndaj tyre teksa nuk fshehu dhe shenjat e nxira në fytyrë dhe trup.

“Në fillim bëra pak rezistencë, por ai më qëlloi pas koke. “Nuk u bindka kjo”, tha dhe më pas na lidhi të dyve, na kërkuan lekë. Sa herë flisnim ne, leva e hekurit rrinte gati, “mos fol se ju vramë” na thonin”, tregoi e moshuara e dhunuar.

Autorët e maskuar kanë shkatërruar gjithçka dhe kanë vjedhur 100 mijë lekë të reja në banesën e tyre ku të moshuarit jetonin vetëm prej 12 vitesh, pasi fëmijët e tyre ishin në emigracion.

Një prej djemve të çiftit të moshuar kërkon përmes emisionit “Rudina” të zbardhet ngjarja dhe të vihet drejtësi.

“Shtëpia kur vajta dje ishte katastrofë, gjak i spërkatur nëpër mure, sikur kishin të bënin me kafshët. Mamaja ishte e sakatuar, babai në një gjendje që askush nuk do donte të shihte prindërit, ai është shpërfytyruar.

Mamaja zgjohej në 3 të natës dhe ulëriste, nuk na njihte, na largonte. Për një masakër të tillë un kërkoj drejtësi jo hakmarrje. Si mundet një njeri të qëllojë me levë në kokë një 77-vjeçar, me çfarë ndërgjegje do jetojë?”, tha me lot në sy djali të moshuarve të dhunuar.