Transmetuar më 24-11-2017, 13:43

Pas përjashtimit të Saimir Tahirit, kryetarja e re e Partisë Socialiste në Tiranë Blerina Gjylameti, në një konferencë për shtyp mesditën e sotme ka akuzuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për shpenzimet e fshehura në vizitën në Uashington.

Sipas Gjylametit, Basha nuk do të mund t’i shpëtojë këtij skandali, të fshehjes së qindra mijëra eurove për krijimin e farsës se SHBA mbështeste opozitën.

“Basha nuk mund t’i shpëtojë këtij skandali, duke na akuzuar, për të hequr baltën që ka mbi vete. Kush i pagoi këto para, cili është burimi i tyre, pse prokuroria nuk nis hetimet. Ai duhet të shpjegojë se çfarë bëri në vizitën e tij në Uashington. Janë mbi 500 mijë dollarë të një kompanie lobiste, me krijimin e farsës se Uashington-i mbështet çadrën dhe opozitën. Shpenzimet e Partisë Demokratike nuk janë deklaruar”, u shpreh Gjylameti.

Më tej ajo deklaron se asnjë prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në KQZ për zgjedhjet e 25 qershorit dhe sipas Gjylametit kjo ngre dyshime serioze për origjinën e këtyre parave. 

“Ku i ka gjetur PD dhe Basha 1 milion dollarë, këta që flasin për ditë për para, për vota të blera pse PD ka përdorur llogaritë e një kompanie ofshore për të bërë pagesa në emër të PD? Në mos Basha ka bindjen që edhe DASH është i kapur nga krimi duhet të dalë sot të thotë çfarë bëri në 22 mars në Uashingon? Pagoi para nga kompani fantazëm”, tha Gjylameti.

Ndërkohë në përgjigje të interesit të mediave, në lidhje me këto akuza të artikuluara nga Partia Socialiste, për përdorimin sipas tyre nga PD, Basha i cilësoi thjesht si shashkë të bazuar në mashtrime.

"Një shashkë e bazuar në mashtrime që s’mund të largojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të kësaj qeverie", tha Basha në prononcimin para gazetarëve.

Më tej ai kërkoi largimin e Ramës nga qeveria dhe si hap të dytë arrestimin e Saimir Tahirit.

“Është emergjencë absolute pastrimi i qeverisë nga krimi dhe kjo nis vetëm me largimin e Edi Ramës. Duhet të nisë vettingu i ministrisë së Brendshme. Duhet reformimi tërësor i ministrisë së Brendshme të kryhet nga ekipe me integritet dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse diktohet nga Edi Rama. Ndaj hapi i parë është largimi i Ramës nga qeveria.

Hapi i dytë do të jetë procesi i spastrimit të ministrisë së Brendshme. Gjendja është alarmante. Inkurajoj prokurorinë të çojë deri në fund hetimet për kokat e trafikur të drogës. Arrestimin një orë e më parë të Saimir Tahirit dhe kokave të policisë", shtoi Basha. /b.l/noa.al/