Transmetuar më 24-11-2017, 16:38

Edhe pse të dhënat e sistemit TIMS, siç u bënë publike në media tregojnë se ish-zyrtarët e policisë janë arratisur jashtë vendit, Prokuroria ka dyshime të forta se ata vijojnë të ndodhen në Shqipëri.

Sipas asaj që raporton Top Channel, deri në momentin kur janë marrë vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në datë 21 nëntor, për ndalimin e tyre, Prokuroria kishte informacion të sigurtë që ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefi i Postës Policore të Radhimës, Sokol Bode ndodheshin në Tiranë.

Madje, burime nga institucioni i akuzës thonë se diheshin edhe zonat ku ata qëndronin. Por gjithçka ka ndryshuar nga ora 10;30 e paradites së të mërkurës e në vazhdim, ku asnjë prej tyre nuk u gjet në zonat ku ishin parë një ditë para se të lëshoheshin urdhër-arrestet.

Për këtë arsye, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë dyshim që operacioni për ndalimin e tre ish-drejtuesve të Policisë së Vlorës, është dekonspiruar. Të njëjtën bindje ndan edhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i cili këtë të premte bëri kallëzim penal për dekonspirimin e aksionit nga vetë uniformat blu.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama tha në emisionin “360 gradë” se e dinin me emër e mbiemër se kush e ka dekonspiruar aksionin.

Megjithatë në të njëjtën kohë sipas TV Klan Prokuroria do t’i kërkojë Zyrës së Interpol Tiranës vendosjen e emrave të të re ish-zyrtarëve të lartë në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.

Prej tre ditësh tashmë, tre ish-zyrtarët e lartë ndodhen në kërkim pas urdhër-arresteve të lëshuar ndaj tyre si të implikuar në trafikun e drogës me grupin Habilaj.(e.c/noa.al)