Transmetuar më 24-11-2017, 17:21

Resorti turistik “Santa Quarantta” është vetëm një nga pasuritë e shumta në pronësi të Klement Balilit, i ashtuquajtur “Escobari i Ballkanit” të cilat janë sekuestruar këtë të premte me kërkesë të Prokurorisë.

Bëhet fjalë për 36 dyqane, apartamente, garazh e shtëpi banimi që janë vënë nën sekuestro. Po ashtu janë sekuestruar edhe – 28,690 m2 truall në Sarandë, po në pronësi të familjes Balili.

Siç tregohet edhe nga pamjet e aksionit, policia ka bastisur pronat dhe ambientet në pronësi të Balilit, mes të cilave edhe resortin turistik në Sarandë, “Santa Quarantta”

Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.

Sekuestro e pasurive të ish-Drejtorit të Portit të Sarandës erdhi me kërkesë të Prokurorisë, në përfundim të investigimit mbi pasuritë e anëtarëve të familjes Balili.

Grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’,por megjithatë prej më shumë se viti tashmë ai është në arrati dhe kërkohet nga policia. (e.c/noa.al)