Transmetuar më 29-11-2017, 08:24

Në çdo nëntor, Ditën e Flamurit, Isak Asllani merr rrugën drejt varrezave të fshatit Rancë, në Shtime. I pastron me radhë nga dëbora emrat në shtatë varret e fëmijëve të tij. Ata u masakruan 20 vite më parë nga forcat serbe, së bashku me nënën, gruan dhe mbesën.

Duke prekur shkronjat, i duket sikur ledhaton fytyrën e djalit, Burimit, që ishte vetëm 13 vjeç; Lumnijes, Ejupit, Luljetës, Shpendit, Xhaferrit dhe Antigonës së vogël, që sapo kishte mbushur 1 vjeç.

“Patëm tri ditë luftime rresht, e unë shkova të tërhiqja familjen. Unë isha me vëllain tim, Musën. Në atë moment kanë ardhur forcat serbe me tank, na kanë shënjestruar shumë mirë dhe asnjë nuk shpëtoi dot. Edhe unë kam qenë i plagosur”, rrëfen Isak Asllani.

Veteran dhe invalid i luftës, Isaku iu bashkua radhëve të UÇK-së që nga fillimi i luftës, për të mbrojtur gruan dhe fëmijët. Por, edhe pse nuk ia doli, ai përsëri gjeti forcë dhe arsye për të luftuar.

“Mungesa për ta është e madhe. Kanë kaluar 20 vite, por për mua është sikur të ketë ndodhur sot. Përkundër faktit që e gjithë familja m’u shua prej tyre, unë kurrë nuk kam qenë në gjendje që të ushtroj dhunë ndaj dikujt, të vrisja ndonjë fëmijë mes serbëve”, vijon më tej rrëfimin rrënqethës Isaku.

Jeta duhej të vazhdonte. Më 28 nëntor të vitit 1998, Isaku u martua, ndërsa krushqit, ushtarë të UÇK-së morën nusen e re.

Për Isakun dhe Kosovën, nëntorët e dhimbjes janë edhe simbole të vazhdimësisë së jetës. Pas 20 vitesh martesë, në ditët e ftohta të nëntorit erdhën në jetë dy binjakët e tij. Sot 60-vjeçari veteran e quan këtë mrekulli, një ngadhnjim të jetës mbi vdekjen dhe hakmarrjen më të madhe ndaj armikut, transmeton Tch.

“Ua kam përtërirë emrat Ejupit dhe Lumnijes. Më në fund erdhi edhe kjo dhuratë prej Zotit. Unë gjithmonë kam ëndërruar t’ua ripërtërija emrat e për t’iu kallëzuar të gjithëve se jeta shkon përpara”, shprehet Isak Asllani.