Transmetuar më 03-12-2017, 08:39

Telekom Albania u vlerësua me Çmimin për Kontribut në Nivel Kombëtar gjatë një ceremonie të zhvilluar të premten nga Partnerët Shqipëri.

Vlerësimi për Telekom u dha për kontributin e dhënë në mbështetje të zhvillimit social, kujdesit shëndetësor dhe mjedisor në vend, e në veçanti për pajisjen me libra artistikë të librarive publike në qytetin e Tiranës, pajisjen me aparatura mjekësore në spitalin “Shefqet Ndroqi” e Shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe për kontributin e veçantë në fushën kërkimore për luftën kundër demencës nëpërmjet realitetit virtual. Çmimi u dorëzua nga Znj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme për Zyrën e Bankës Botërore në Shqipëri.

Ky është çmimi i tretë për Telekom Albania. Në 2012-ën Telekom mori çmimin  për Kontributin Kombëtar të kompanisë ndaj komuniteteve në nevojë dhe për angazhimin afatgjatë të saj për nxitjen e vullnetarizmit. Në 2013-ën Telekom u vlerësua me Çmimin për Kontributin e dhënë në mbështetje të grupeve në nevojë për rikonstruksionin e qendrës së të moshuarve në Fier.

Pasi falënderoi organizatorët dhe përgëzoi kompanitë dhe individët e tjerë që u vlerësuan për kontributin e tyre shoqëror, Menaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës në Telekom, Ornela Bego vuri theksin te përdorimi i teknologjisë në të mirë të shoqërisë.

“Telekom Albania prej vitesh i ka vendosur kapacitetet teknologjike dhe njerëzore në shërbim të komunitetit. Zhvillimi i sotëm botëror ka bërë që ne të jetojmë në një shoqëri dixhitale, ndaj edhe ne bëjmë çdo përpjekje që produktet dhe shërbimet tona të jenë të arritshme edhe për grupet e caktuara që nuk do të përfitonin prej tyre”, tha znj. Bego.

Ajo vuri në dukje se loja Sea Hero Quest u shkarkua nga mbi 1 milionë persona vetëm dy javë pas prezantimit. Falë saj, kërkimet për demencën kanë bërë një hap të madh përpara.

Kjo lojë u krijua për të përdorur për një qëllim të mirë rreth 3 miliardë orë që njerëzit kalojnë çdo javë duke luajtur në celular. Duke shkarkuar dhe luajtur Sea Hero Quest secili ofron kohën e tij për t`iu ardhur në ndihmë shkencëtarëve në mbledhjen e të dhënave të çmuara lidhur me sensin e orientimit.

Sea Hero Quest nga Deutsche Telekom, me përfaqësues në Shqipëri Telekom Albania është shembulli më i mirë për të treguar motivimin e kompanisë për t’u angazhuar në novacionet  teknologjike si edhe për llojin e përgjegjësisë dixhitale.