Transmetuar më 06-12-2017, 19:37

Nga sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Ka qenë vetë Presidenti i SHBA-ve Donald Trump i cili bëri të ditur vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke theksuar se shumë shpejt do të nisë edhe procedura e zhvendosjes së Ambasadës së SHBA-ve në Jeruzalem.

Presidenti Trump ia faturoi mosnjohjen deri më tani të Jeruzalemit, si një dështim I administratave të mëparshme amerikane.

Pak më herët, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se u kishte nisur këtë të mërkurë një kabllogram të gjitha përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës anembanë botës, ku iu kërkohet zyrtarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor deri më 20 dhjetor.

Në kabllogram, megjithatë, nuk specifikohet arsyeja e kësaj kërkese.

Ndërkohë kjo lëvizje e Presidentit Trump pritet të sjellë reagime të forta, duke parë luftën izraelito-palestineze.

Papa Françesku shprehu “shqetësimin e thellë” për këtë lëvizje, ndërsa Turqia bëri thirrje për një takim të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik për të koordinuar një reagim. (e.c/noa.al)