Transmetuar më 08-12-2017, 16:39

Ajo fotografi shkaktoi xhelozinë e tij të sëmurë. Ishte i fiksuar pas asaj vajze, sa që kur ajo atë pasdite të 1 korrikut vendosi ta vinte në lojë, duke i treguar se çfarë po bënte në atë moment, ai nuk arriti që ta kontrollojë veten.

Në fotografi shihej vajza që ai donte, e shtrirë në shtrat me një djalë. Donte ta vriste! …dhe kështu bëri.

33-vjeçari anglez David Saunders, nga Darlington, doli para gjykatës së Teesside Crown Court këtë të mërkurë, për vrasjen me thikë të Michael Lawson, 34 vjeç, njeriut që sipas tij ishte shkaku për përfundimin e lidhjes me 27-vjeçaren Sarah Bramley, studente për drejtësi.

Ishte 1 korrik kur në celularin e David, nisën të vinin mesazhe të ndryshme provokuese. Ishin nga Sarah, e cila i komunikonte jo vetëm me fjalë që kishte kaluar natën me Michael, duke i dërguar edhe një fotografi intime, teksa ndodhej në shtrat me të.

Kur David pa fotografinë i shkroi, “Po vij në shtëpinë tënde. Jam tym. Mbaje aty”.

Pas pak çastesh ai hipi në një taksi dhe pas pesë minutash ishte në shtëpinë e ish të dashurës, ku nisi një sherr i dhunshëm i cili përfundoi me vrasjen e Michael.

David u deklarua fajtor, pasi pranoi se e kishte qëlluar për vdekje rivalin në dashuri, por tha se nuk ishte qëllimi që ta vriste.

“Isha i tronditur, isha shumë i inatosur. E doja dhe nuk ishte mirë që ta shihja në shtrat me një tjetër. Isha lidhur me Sarah në nëntor të 2016, por në prill lidhja jonë mori fund për shkak të atij njeriu. Vazhdonim të shkonim në shtrat bashkë, por ajo kishte raporte seksuale edhe me Michael. Atë mëngjes ajo fotografi më tërboi. Kur shkova te shtëpia e saj e pyeta se pse vazhdonte të më dërgonte sms dhe të më telefononte. Ai më tha që ta lija të qetë dhe më shtyu. Vetëm atëherë e pashë që kishte një thikë në dorë. E shtyva, dhe i mora thikën, nuk e kuptova se si e godita”, tha David në gjykatë, shkruan noa.al.

Prokurori Nick Dry, deklaroi se gruaja vazhdonte të kishte raporte seksuale me të dy meshkujt dhe shtoi se, “Ishin që të dy të interesuar pas saj, por nuk ishte asnjë raport i qëndrueshëm. Kur Saunders mori atë mesazh u çmend nga xhelozia”.

Tashmë pritet vendimi i gjykatës, për të vendosur se sa vite burg do të dënohet. /a.y/noa.al