Transmetuar më 09-12-2017, 13:25

Pas raportit të EUROPOL për drogën në vendin tonë, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Nga selia blu, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj pohoi se qeveria është burim droge dhe se ky është prioriteti i kryeministrit Edi Rama.

“Raporti i EUROPOL rikonfirmon se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por është qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës. Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurisë juridike! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit.

Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë një nga vendet e Ballkanit jo vetëm anëtar i NATO-s, por edhe një vend që negocionte për anëtarësim në Bashkimin Europian! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit”, u shpreh Alibeaj.

Mes të tjerash deputeti theksoi se Shqipëria u bë burim i pastrimit të parave, ndërsa shtoi se vendi do të futet në Bashkimin Europian kur të inkriminuarit të dalin para drejtësisë.

“Shqipëria në 4 vjet të Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Dhe këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish.  Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave”, tha Alibeaj.

Deputeti demokrat thekson më tej se vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë përditë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe nxjerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve.

“Ato po e thonë fare qartë se nuk do t’i hapin negociatat, nëse në Shqipëri nuk shkatërron organizatat kriminale të trafikut dhe nëse nuk nxirren para drejtësisë politikanët që e lejuan dhe bashkëpunuan me krimin. Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë”, përfundon Alibeaj. /b.l/noa.al/