Transmetuar më 09-12-2017, 13:53

Ish-deputeti demokrat Astrit Patozi ka reaguar me një këshille për kryeministrin Edi Rama, i cili dje teksa fliste në panairin me të rinjtë, u acarua pas fishkëllimave pa fund që disa syresh po bënin nga vendi ku ishin ulur.

Përmes një mesazhi në faqen e tij sociale në Fcaebook, Patozi i është drejtuar Ramës me epitetin "timonier", ndërsa me ironi i kërkon ndjesë që e mori vesh lajmin shumë vonë.

Në këtë linjë, Patozi ndër të tjera nuk është kursyer që t’i japë një këshillë kryeministrit, duke shtuar se ky i fundit nuk duhet t’i tregojë pyllin bilbilave.

“Mos i trego bilbilit pyllin. I dashur timonier, kërkoj ndjesë që e mora vesh me vonesë lajmin për fishkëllimat e djeshme në Pallatin e Sportit. Më falet, gjithsesi, dhe jam i justifikuar në një farë mënyre, se kam qenë i zënë me festimet e Ditës së Rinisë.

Por tani, që e pashë, një këshillë po ta jap. Kur të fillojë ajo lloj muzike, mos u mundo kot t’u tregosh bilbilave ku janë pemët, por përpiqu të gjesh një shteg për të dalë vetë nga pylli. Se i bie se ka nisur që për ty të këndohet ajo kënga, që kishte interpretuar mbrëmë jo keq Ditmir Bushati “Pranvera filloi me ardhë, dhe bylbyli nis me knu…”, shkruan Patozi. /b.l/noa.al./