Transmetuar më 09-12-2017, 14:26

Kreu i ARRSH-së Afrim Qendro në një lidhje telefonike deklaroi se segmenti Elbasan- Tiranë është bllokuar pasi një masiv shkëmbor është shkëputur nga skarpati anësor.

Qendro tha se aktualisht lëvizja po bëhet dhe do të bëhet nga rruga e vjetër, pasi vlerësimi i kësaj situate do të zgjasë edhe disa ditë.

"Situata nuk është normale, Ka pasur rrëshqitje masive shkëmbore në rrugë dhe aksi Elbasan- Tiranë është i bllokuar. Lëvizja e mjeteve do të bëhet nga rruga e vjetër.

Ndërkohë që kjo situatë do të zgjasë disa ditë, pasi do të kryhen punimet. Do merren masa. Kjo situatë është krijuar nga reshjet e shiut që kanë rënë ditët e fundit. Vlerësimi i situatës do të bëhet nga gjeologët e szmiologët", tha Qendro.

Prej mëngjesit të sotëm aksi rrugor Elbasan- Tiranë ka qenë i bllokuar për shkak të rënies së një masivi dheu.

Për pasojë, burime policore bëjnë me dije se lëvizja e automjeteve do të bëhet nga rruga e vjetër në Qafë Kërrabë. 

Masivi shkëmbor ka rënë sipër fshatit Mamël, duke bllokuar segmentin nga Elbasani në Tiranë, ndërsa segmenti tjetër është i lirë. /b.l/noa.al