Transmetuar më 09-12-2017, 17:06

Policia e Lezhës ka shoqëruar tetë persona në komisariat, për t’u marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e vëllait të ish-deputetit, Arben Ndoka.

Për ngjarjen po kryhet edhe një analizë e kryesuar nga Drejtori për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit Niko Brahimaj.

Policia lokale njofton se “nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë të mbështetura dhe nga shërbimet FLO Shkodër, është krehur e gjithë zona, për të bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera materiale, si dhe po administrohen të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vendosur nga objekte dhe biznese private”.

Po ashtu, policia po analizon dhe përpunon me kujdes të gjitha provat materiale të administruara në vendngjarje si dhe në ambjente të tjera që lidhen me të, nëpërmjet laboratorit shkencor dhe te gjitha potencialeve policore.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Rrethit Gjyqësorë Lezhë, për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/278 të Kodit Penal “Vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje e armeve të zjarrit dhe municioneve luftarake”. /k.k/noa.al/