Transmetuar më 09-12-2017, 23:07

Inter vijon të jetë i pathyeshëm në Serinë A, teksa ka arritur të marrë një barazim pa gola në “Allianz Stadium”, ndaj kampionëve në fuqi, Juventusit. Bardhezinjtë tentuan me të gjitha mënyrat, por nuk arritën të bëjnë hapin e madh dhe të rikthehen në krye të renditjes, pasi u ndalën nga portieri Handanoviç dhe traversa e zikaltërve .

Pjesa e parë filloi me 2 skuadrat që luanin të kujdesshme dhe nuk donin të rrezikonin. Interi pati iniciativën në pjesën më të madhe të lojës, por rastet më të mira i patën bardhezinjtë, me kroatin Mandzukiç, që fillimisht u ndal nga Handanoviç dhe më pas nga traversa.

Në pjesën e dytë skuadra e Allegrit dominoi totalisht dhe krijoi disa mundësi të mira, veçanërisht me kroatin Mario Mandzukiç, por edhe me Cuadradon dhe Higuainin, gjithsesi, pa arritur të gjejnë rrjetën, shkruan Supersport. Nga ana tjetër, zikaltrit u mbrojtën mirë dhe tentuan disa herë kundërsulmin, por lojtarët e krahut, Eder dhe Perisiç ishin shumë larg formës së javëve të fundit dhe nuk mundeshin të shtynin.

Vërshëllima e 3-fishtë e Valerit sheh zikaltrit të ruajnë kryesimin e Serisë A, të paktën përkohësisht, me 40 pikë, 2 më tepër se Napoli dhe Juventus. Skuadra e Spallettin nuk ka pësuar ende asnjë humbje, pas 16 javësh në Serinë A.