Transmetuar më 10-12-2017, 12:16

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka një mesazh me rastin e ditës ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Ai thotë se sot, në 10 dhjetor 2017, ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duhej të debatonim si shoqëri për të drejtat e grave, të fëmijëve, për të drejtat e të rinjve dhe për përmirësimin e kushteve ku secili të ushtronte dhe të gëzonte të drejtat që i takojnë.

“Por fatkeqësisht 27 vite pas ardhjes së demokracisë, ne shqiptarët ende nuk zgjedhim dot të lirë, nuk gëzojmë dot lirinë e plotë të fjalës nga censura e qeverisë mbi median, nuk përfitojmë dot nga liria e vërtetë e tregut prej monopoleve të pushtetit. Edi Rama i ka asgjësuar këto të drejta me shitblerjen e votës, me shantazhe dhe me kërcenime. Qeveria e tij e shkel përditë dinjitetin e qytetarëve me makutërinë e tenderave e koncesioneve, me shpërdorimin që ju bën fondeve publike, me arrogancën ndaj njerëzve”, shkruan Basha në Facebook.

Ai shton se, kjo qeveri njeh vetëm privilegjet e saj, dhe shkel me këmbë të drejtat e liritë e njerëzve të thjeshtë.

Lideri i opozitës e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se, “Bashkimi i të gjithë shqiptarëve është garancia e fitores në betejën për liri dhe të drejtat njerëzore”.​ /a.y/noa.al