Transmetuar më 10-12-2017, 13:18

Një djalë i ri nga Skrapari i cili prej disa kohësh jetonte në Islandë, humbi jetën për shkak të goditjeve me thikë.

Klevis Sula 21 vjeç, u godit nga një tjetër shqiptar i droguar më 3 dhjetor, teksa po tentonte ta ndihmonte.

Por i riu shqiptar nuk u mbijetoi dot plagëve të marra, duke gjetur vdekjen në spitalin e Rejkjavikut rreth një javë më vonë.

Ngjarja ndodhi ende pa zbardhur mëngjesi i 3 dhjetorit, në sheshin qendrir të Rejkjavikut, ku autori i dyshuar, pritet të dalë në Gjykatë më 15 dhjetor, pasi gjendja e tij psikologjike paraqitet e rënduar.

Miku i viktimës Andrea Zisaj me anë të një postimi të bërë në Facebook, tregon se çfarë ndodhi:

Ju lutem, shpenzoni pak momente nga jeta juaj e më lejoni t’ju tregoj për shokun tim Klevis. Ai ishte një djalë i mrekullueshëm, ai përpiqej gjithnjë që të ndihmonte njerëzit, t’i bënte të qeshnin dhe gjithnjë transmetonte pozitivitet. Ishte gjithnjë i qetë dhe me zemër të madhe, por ajo zemër ndaloi.

Doni ta dini si vdiq? Ai po tymoste një cigare jashtë një lokali dhe një burrë po qante pranë tij. Ai shkoi dhe i ofroi ndihmë, por në këmbim mori një thikë të mprehtë. Ja sa e lehtë është të vdesësh në një prej vendeve të konsideruara si më të sigurtët në botë, shkruan ai, teksa tregon se sa i lumtur ishte Klevisi kur mbërriti në Islandë”.

Ndërkohë Krist Ismailaj, kushëriri i Klevisit, duke folur për mediat në Islandë ka thënë se kur ndodhi sulmi me thikë, ai dhe një grup shokësh ishin pranë tij.

“Pasi e dërguan në spital, miqtë debatuan me njëri- tjetrin nëse do t’i tregonin familjes së Klevisit se çfarë ndodhi. Të gjithë të lutemi për të dhe t’i japim forcë familjes së tij për të kaluar këtë tragjedi të tmerrshme që i ndodhi. Ishte një 20-vjeçar pa zakone të këqija dhe asnjëherë nuk i bëri keq askujt. Ai donte që të ishte i qeshur dhe i dobishëm. Ju lutem, kujtojeni atë siç ai e meriton dhe shumë më tepër se kaq”, tregon ai. /a.y/noa.al

U masakrua me thikë në Islandë një javë më parë, ndërron jetë në spital i riu shqiptar