Transmetuar më 10-12-2017, 19:21

Një muaj pas bërjes publike të dosjes “Habilaj”, një tjetër zyrtar i lartë italian do të zbarkojë javën e ardhshme në Tiranë.

Fjala është për Ministrin e Drejtësisë të Italisë, Andrea Orlando i cili të martën fluturon drejt Shqipërisë me një axhendë “blic”.

Sipas asaj që raporton Lapsi.al, në krye të axhendës së tij janë takimet me homologen shqiptare Etilda Gjonaj, dhe mbi të gjitha marrja e informatave mbi ecurinë e hetimeve të grupit “Habilaj” nga autoritetet shqiptare.

Kjo pasi një muaj më parë në Tiranë ishte edhe ministri i Brendshëm Marco Minitti, i cili mësohet se në takimin e tij me Fatmir Xhafajn, ka lënë mbi tryezën e ministrit shqiptar një dosje voluminoze me emrat e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikës shqiptare, për të cilët autoritetet italiane dyshojnë si të implikuar në trafikun e drogës.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj autoritetet shqiptare janë treguar të ngadalta në hetimet e tyre. Në dosjen e italianëve besohet se ishin listuar të paktën 40 emra policësh të përfshirë në trafik drogë, por asgjë nuk ndodhi. Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori urdhër-ndalim për 3 zyrtarë të lartë të policisë së Vlorës ata patën mundësi të arratisen dhe sot e kësaj ditë të mbeten të lirë.

Për këtë aryse, mësohet se gjatë vizitës së tij në Tiranë të martën, veç të tjerave ministri italian do të kërkojë informacione për zhvillimin e hetimeve për dosjen e lënë në Tiranë nga kolegu i tij, ministri i Brendshëm Marco Minitti.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit pritet të jetë edhe reforma në drejtësi, në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga replikat politike për Kryeprokurorin e ri të vendit. (e.c/noa.al)