Transmetuar më 10-12-2017, 20:40

Dhuna në fushën e blertë të futbollit shqiptar, është rikthyer sërish këtë javë në ndeshjen Përmeti-Këlcyra.

Viktimë e dhunës së tifozëve, madje edhe të futbollistëve ka rënë arbitri i kolegjiumit të Fierit, Alvi Paço.

Ky i fundit pas një 11-metërshi të akorduar për vendasit përmetarë është sulmuar dhe dhunuar në grup nga lojtarët e Këlcyrës. E gjithë kjo ngjarje e rëndë ndodhi në minutën e 82’, kur rezultati ishte 0-0.  

Mësohet se arbitri është dhunuar duke u goditur me shqelma dhe grushte nga lojtarët dhe stafi drejtues i ekipit të Këlcyrës, të cilët e akuzojnë arbitrin se kishte marrë ryshfet për t’i dhënë fitoren ekipit të Përmetit në minutat e fundit.

Gjyqtari ka disa hematoma në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit nga dhuna fizike që ushtruan lojtarët e Këlcyrës.

Pas ndeshjes gjyqtari Alvi Paço ka denoncuar në polici rastin, ndërsa janë shoqëruar trajneri i Këlcyrës dhe 5 lojtarë për dhunën. (e.c/noa.al)