Transmetuar më 10-12-2017, 20:59

Kur kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga vizita e tij në Tiranë, Papa Françesku duket se nuk e ka harruar popullin shqiptar.

Madje meshën e kësaj të diele, Ati i Shenjtë ia dedikoi të gjithë popujve që gjatë kësaj jave që lamë pas janë prekur nga fatkeqësitë natyrore, mes të cilave edhe vendi ynë.

Në sheshin “Shën Pjetër” Papa Françesku tha se është pranë familjeve që janë vënë në provë të ashpër nga përmbytjet.

“U jam pranë, popullsisë indiane të goditur nga cikloni Okhi dhe familjeve të shumë peshkatarëve të humbur. U jam pranë, dhe popullit shqiptar i vënë në provë të ashpër nga përmbytjet e shumta në vend.” theksoi në lutjen e tij Papa Françesku.

Gjendja e rëndë në të cilët u përfshinë mjaft zona në Shqipëri pas përmbytjeve të mëdha të ditëve të fundit është përcjellë me vëmendje nga të gjitha mediat italiane si dhe nga Radio Televizioni i Selisë së Shenjtë.

Radio Vatikani dhe televizioni zyrtar i Selisë së Shenjtë kanë shprehur solidaritetin e tyre me popullin shqiptar, pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga përmbytjet.

“Mbi 70 mijë persona për disa orë me rradhë kanë mbetur pa energji elektrike nga moti i keq. Reshjet kanë qenë masive dhe lumenjtë kanë dalë nga shtrati e dëme të mëdha janë regjistruar në periferitë e Tiranës, në Durrës, Bardhaj, Marikas e Laknas. Ka pasur dhe një viktimë,” informon RTV e Selisë së Shenjtë.

Ndërsa në Indi, bilanci është dhe më dramatik. Cikloni Okhi ka shkaktuar 39 viktima e 167 persona të humbur. (e.c/noa.al)