Transmetuar më 11-12-2017, 11:30

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili shigjeton Kryeministrin Edi Rama, lidhur me çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Ai thotë se Kryeministri do që të vjedhë kryeprokurorin, duke vënë në rrezik shtetin ligjor.

“Ky Kryeministri flet dhe thotë: s’e paska qartësisht të drejtën ta zgjedhë prokurorin e përkohshëm. Kush ia dha këtë të drejtë narkotrafikantëve? Ky nuk ka asnjë të drejtë as Kushtetuese as Ligjore. Kuvendi i Shqipërisë, shërbimi i tij juridik shpjegon qartë dhe me shkrim se duhen 84 vota. Ku i ka Kryeministri 84 vota? Apo shpjegimet që nuk i pëlqejnë nuk i mban mend, i mohon, i refuzon?”, shkruan Vasili në Facebook.

Ai shton se ka konsensus të plotë me opozitën dhe që nga sot le të kthehemi në Kuvendin e Shqipërisë dhe të rregullojmë ligjet e bëra copë copë nga ai dhe sufleret e tij, që nuk flasin shqip.

Ndryshe, Vasili deklaron se nëse e zgjedh vetë kryeprokurorin, ky Kryeministër shndërrohet përfundimisht në bandit politik dhe mazhoranca e tij në një shumicë kriminale antiligj dhe antishtet.

“Ndaj këtij banditizmi ka vetëm një përgjigje: përmbysje pa asnjë hezitim me çdo mjet e mënyrë. Shteti ligjor në rrezik, kjo është emergjencë kombëtare!”, thotë në mbyllje Petrit Vasili. /a.y/noa.al