Transmetuar më 11-12-2017, 13:44

Mbledhja e ditës së sotme e Komisionit të Sigurisë kombëtare, e drejtuar nga socialistja Ermonela Felaj u shënua me momente debatesh dhe sherri.

Gjithçka pasi deputeti demokrat Flamur Noka, teksa flitej për situatën e përmbytjeve në vend dhe dëmshpërblimin iu kthye keq socialistes Felaj, duke thënë se duhej shpallur gjendja e emergjencës.

“Nuk merrem me ty unë o vajzë. Më dëgjo kur të flas! Nuk ma ndërpret dot fjalën Edi Rama.. Jo më Salmonela”, deklaroi ai.

Kjo bëri që Ermonela Felaj të të mbyllë mbledhjen dhe të largohej, bashkë me anëtarët e Partisë Socialiste në Komision.

Noka u ul në vendin e kryetares Felaj dhe tha, “Qeveria demokratike e ka shpallur gjendjen e emergjencës, ka vlerësuar dëmin dhe ka dhënë dëmshpërblimin”.

Lidhur me këtë situatë të krijuar ka reaguar edhe deputeti i LSI, Endrit Braimllari, i cili akuzoi qeverinë se bënte show, teksa vendi ndodhej nën ujë.

“Arsyeja e mos shpalljes së emergjencës civile ka të bëjë me faktin se ky Kryeministër nuk mbron interesat e qytetarëve, nuk do ti dëmshpërblej qytetarët sipas ligjit te emergjencave. Nuk ka asnjë përfaqësues qeverie në zonat e përmbytura”, deklaroi ai. /a.y/noa.al