Transmetuar më 12-12-2017, 14:04

Whats App thuhet se së shpejti do të mbërrijë me një përditësim të ri, që sipas forumeve dhe faqeve teknologjike në internet, do të sjellë një ndryshim të madh sa u takon bisedave në grup.

“WABetainfo” thotë se ky përditësim do t’u mundësojë përdoruesve që në një bisedë grupi, t’u adresohen privatisht anëtarëve të veçantë të tyre, ndërsa anëtarët e tjerë thjesht do të njoftohen për një mesazh të ri, por nuk do të jenë në gjendje që ta lexojnë atë.

Kjo është një kërkesë e hershme e përdoruesve, por edhe një objektiv i kompanisë, që synon që përmes kësaj të luftojë edhe spam-et.

Sa u takon përdoruesve, ky përditësim do t’u mundësojë atyre që të dërgojnë në një grup një mesazh që dëshirojnë ta marrë vetëm një apo disa persona të caktuar, pa e shpërndarë atë për të gjithë grupin.

Së bashku me këtë risi, përflitet gjithashtu se do të mbërrijë edhe ajo që njihet si picture-in-picture, që do t’u mundësojë përdoruesve që në momentin kur shikojnë një video ta lëvizin atë në kënd të ekranit për të qenë më praktike./b.l/noa.al/