Transmetuar më 15-12-2017, 15:00

Arrogancë e padëgjuar kurrë më parë. Forma e votimit që ai propozon, në shekullin XXI,  është e paimagjinueshme për një subjekt politik, që përbën partinë e parë në vend. Në këtë formë mund të zgjidhet, në rastin më të mirë, administrator i ndonjë biznesi të vogël familjar, dhe në rastin më keq capo i ndonjë klani mafioz.

Nga Ilir Babaramo

Diçka e padëgjuar kurrë më parë po ndodh në Prishtinë. Dy tre vetë nga establishment drejtues i Vetëvendosjes kërkojnë që ose kryetari të zgjidhet me konsensus mes pesë drejtuesve kryesorë të kësaj partie ose ata kërcënojnë se do largohen nga kjo organizatë.  Balloja e maskave mori fund dhe Dardan Molliqaj zbuloi letrat. Pak rëndësi ka nëse ai bllofon ose jo. Tashmë loja është e qartë. Oligarkët synojnë të kapin të vetmen hapësirë që nuk kontrollojnë në Kosovë, frymën e Vetëvendosjes.

Në intervistën e dhënë për sekserin e klanit Devolli, Molliqaj ishte shumë i qartë. Pas një lumi akuzash kundër Albin Kurtit , ai përsëriti për të disatën herë se nuk duhet të ketë zgjedhje, por konsensus mes një grupi “kryesorësh”. Ai e la qartë të kuptohet se konsensuali  s’mund të jetë Kurti. Pra sipas tij Albini duhet të zgjedhë ose mos kandidojë ose të përçahet Vetëvendosja.

Arrogancë e padëgjuar kurrë më parë. Forma e votimit që ai propozon, në shekullin XXI,  është e paimagjinueshme për një subjekt politik, që përbën partinë e parë në vend. Në këtë formë mund të zgjidhet, në rastin më të mirë, administrator i ndonjë biznesi të vogël familjar, dhe në rastin më keq capo i ndonjë klani mafioz. Sigurisht Vetëvendosje nuk bën pjesë në asnjë nga këto kategori.

Shkaqet përse Molliqaj kërkon që të mos votohet për të zgjedhur kryetarin e ri duken të qarta. Ai është i përdoruri i të përdorurit.  Pavarësisht se Shpend Ahmeti erdhi në Vetëvendosje me autobuzin e FER, mandati i kryetarit të komunës së Prishtinës duket se i ka krijuar iluzionin se mund të marrë kontrollin e Vetëvendosjes. Magjistricat e Makbetit duhet ti kenë treguar shembullin sesi Edi Rama mori kontrollin e Partisë Socialiste duke qenë kryetar i bashkisë së Tiranës. Akuzat që i bëheshin Ramës për parimin “një votë një pallat” duhet të ketë qenë një nga “argumentat më bindëse”.  

Në fakt Shpend Ahmeti ka shumëçka në dorë. Në zyrën e tij përfundojnë interesa të mëdha, sidomos të atyre që kontrollojnë ekonominë e Kosovës. Pa folur pastaj për emërimet e shumta që bën në Prishtinë, të cilat kalojnë përmes krahut të tij të djathtë, Dardan Molliqaj.

Gjatë verës në Kosovë bëri bujë vizita e Shpend Ahmetit në Mal të Zi në jahtin e Devollëve, oligarkëve më të mëdhenj të Kosovës. Lajmi bëri bujë sepse ndryshe nga protagonistët e klanit “Pronto”, të cilët e pranonin në heshtje se ishin vegla të këtyre oligarkëve, miqësia e Shpendit me Devollët bëri bujë sepse Vetëvendosje nuk kishte reshtur së përsërituri efektet negative që sjellin në ekonominë e Kosovës importet serbe të vëllezërve Devolli. Në ditët e para , Ahmeti e mohoi fuqimisht. Më vonë, kur foto u bë publike, u shfajësua se nuk e dinte se I kujt ishte jahti dhe kishte qëndruar pak çaste sa për të pirë një coca cola zero.

Skema tashmë është e qartë. Oligarkët kërkojnë të përdorin Ahmetin për të shtënë në dorë Vetëvendosjen. Duket se duan të përdorin pushtetin politik të kryetarit të komunës së kryeqytetit , fuqinë ekonomike të tyre për të ndryshuar AND e të vetmit subjekt politik që nuk kontrollojnë në Kosovë. Dhe nëse nuk ia dalin , atëherë ta katandisin përmes konfliktit të brendshëm permanent në atë derexhe që asnjëherë mos jetë në gjendje të marrë pushtetin.

Ata që shpresojnë tek simetria me Ramën gabojnë. E para se jo gjithmonë personazhet mund të jenë të ngjashme . Ca më tepër gabojnë në kohë. Aktualisht Albin Kurti është në burg, I mbyllur nga politikanët e klanit “Pronto”. Sigurisht Albin Kurti nuk është Fatos Nano. Megjithatë nëse e mendojnë si precedent, duhet parasysh se në vitin 1996, kur Nano ishte në Bençë nuk ia morën dot drejtimin e PS , pavarësisht se kishte kundër ditë e natë gjithë establishmentin e partisë. Precedenti i Ramës vlen për dhjetë vjet më pas, kur Nano dha dorëheqjen pasi kishte qenë në krye të partisë që kishte qeverisur tetë vjet. Dhe nëse i qëndrojmë sërish këtij precedenti, Nano nuk preu koka. Thjesht i vuri në rresht.