Transmetuar më 18-12-2017, 18:16

Një pjesë e zonave të Tiranës do të vuajnë mungesën e energjisë elektrike, të paktën deri në orët e para të mëngjesit të nesërm.

Njoftimi është dhënë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili njofton se në kuadër të zbatimit të planit të masave që ka hartuar kompania për festat e fundvitit, me qëllim sigurimin e furnizimit me energji elektrike, do të stakojë transformatorin 50-80 MVA 110/20 kV të N//Stacionit Qendër, Tiranë

Qëllimi i këtij stakimi lidhet me kontrollin, testimin dhe kolaudimin e transformatorit, proces ky sipas OSHEE-së shumë i rëndësishëm, për të parandaluar dhe shmangur ndonjë avari të mundshme, si dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit të furnizimit me energji elektrike.

Punimet do të kryhen më datë 19 dhjetor, gjatë natës, nga ora 00:00 deri në 05:00, dhe OSHEE ka marrë të gjitha masat për lidhjen unazore të të gjithë fiderave 20 kV, për të shmangur ndërprerjen e energjisë elektrike.

Pavarësisht masave, proceset më lartë, diktojnë teknikisht “takim dhe stakim” të fiderave, të cilat mund të shoqërohen me shkëputje disa minutash të energjisë, gjatë intervalit kohor 00:00 – 05:00, për të cilën OSHEE kërkon mirëkuptimin e konsumatoreve. (e.c/noa.al)