Transmetuar më 18-12-2017, 20:41

Përmbytjet e ditëve të fundit prekën shumë banesa qytetarësh, biznese, shkolla dhe objekte të infrastrukturës. Telekom Albania ka vënë në dispozicion teknologjinë e vet, në mënyrë që banorët dhe personat që punojnë në këto zona për rikuperimin e tyre, të jenë në kontakt me njeri-tjetrin.

Specialistët e Telekom Albania, edhe në momentet më të vështira, arritën të siguronin komunikim të pandërprerë. Mijëra persona që ndodhen në këto zona kanë përfituar nga 100 minuta bisedë telefonike falas nga Telekom Albania, në mënyrë që të mbajnë kontakte me familjarët dhe me autoritetet. Ndërsa Komiteti i Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile iu drejtua gjithë qytetarëve nëpërmjet telefonisë së lëvizshme, duke i këshilluar ata për masat e domosdoshme për të shmangur sa më shumë efektet e përmbytjeve.

Telekom Albania, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Fondacionin “Dritan Hoxha” organizuan menjëherë një fushatë të hapur për mbledhje fondesh. Publiku mund të japë kontribut duke dërguar një numër pa limit mesazhesh në numrin 50999, me vlerën 100 lekë për çdo mesazh. Të ardhurat e siguruara nga kjo fushatë do të shkojnë në formë ndihmash direkt tek familjet e prekura.

Telekom Albania gjithashtu ka vënë infrastrukturën e vet teknologjike në ndihmë të fushatës së organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila fton qytetarët të kontribuojnë duke dërguar mesazh në numrin 55355. Çdo mesazh drejt këtij numri shkon si ndihmë për zonat e përmbytura.

Bashkëpunime të tilla shërbejnë për të treguar më së miri se teknologjia tashmë luan rol të pazëvendësueshëm, si në informimin e qytetarëve përballë situatave të vështira, ashtu edhe në kthimin e normalitetit.