Transmetuar më 19-12-2017, 15:36

U nënshkruan sot disa marrëveshje të rëndësishme financiare mes qeverisë shqiptare dhe asaj Gjermane, e para për promovimin e punësimit dhe arsimit profesional dhe e dyta, për rritjen dhe promovimin e eficencës në energji. 

Marrëveshja e parë qeveritare i referohet akordimit të një fondi grant në masën 6 milionë euro për financimin e Programit "Zhvillimi ekonomik dhe rajonal, promovimi i punësimit dhe trajnimi e arsimimi profesional” që u nënshkrua nga Ministri Ahmetaj dhe Ambasadorja Schütz.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, u nënshkruan edhe tre marrëveshjet e zbatimit me GIZ. “Kjo marrëveshje grant është në vijim të dy marrëveshjeve të tjera të nënshkruara me palën gjermane gjatë vitit 2017 duke e çuar vlerën e përgjithshme të financimeve grant nga pala gjermane për këtë Program, në masën 16.5 mil euro.

Objektivi i kryesor i Programit është përmirësimi i situatës së vetëpunësimit të punës së kualifikuar, në veçanti të të rinjve në lidhje me tregun lokal të punës. Përmirësimet do të kryhen në të gjitha rajonet e Shqipërisë, në sektorë të përcaktuar, nëpërmjet ndërhyrjeve në dy drejtime: në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe së dyti, në projektet për investime”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Nga ana e saj ambasadorja Schütz tha se marrëveshja për nxitjen e punësimit dhe formimit profesional, synon krijimin e perspektivave profesionale në Shqipëri, veçanërisht për të rinjtë.

Programi i dytë i financuar nga qeveria gjermane është ai për “Rehabilitimin e Konvikteve në Universitetin e Tiranës, sipas Parimit të Efiçencës së Energjisë”, për të cilin u nënshkruan marrëveshjet financiare dhe marrëveshjet e veçanta, që përfshijnë edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si palë zbatuese dhe Bashkinë e Tiranës si përfituese.

Për programin në fjalë janë lidhur dy marrëveshje ndërqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, me anë të të cilave synohet akordimi i financimeve me grant në shumën totale prej rreth 6.5 milionë euro. /b.l/noa.al/