Transmetuar më 19-12-2017, 17:27

Nëse nuk e keni vendosur akoma se ku do t’i kaloni festat e fundvitit dhe nëse nuk dëshironi të qëndroni në Shqipëri, ne ju propozojmë 6 destinacionet më të veçanta në botë. Sigurisht që duhet të keni edhe kuletën plot për të zgjedhur mes plazheve të Mianmarit, apo tregjeve të Nyrenbergut!

1. Laplandi, vendi i Babagjyshit të Vitit të Ri

Në krye të këtij klasifikimi gjendet Laplandi, vendi që konsiderohet si ai i Babagjyshit të Vitit të Ri. Drerët që mund t’i ndeshni përgjatë rrugëve, shtëpitë tradicionale nordike dhe dëbora rreth e qark, do t’ju bëjnë të përjetoni një atmosferë magjike Krishtlindjesh dhe ndërrimi vitesh të garantuar.

2. Tromso, Norvegji

Nëse i ftohti për ju nuk është aspak një problem, një udhëtim në veriun ekstrem është padyshim një përvojë shumë e rrallë për t’u provuar. Kur të shihni aurorën vezulluese, asgjë tjetër nuk do t’ju hyjë më në sy.

3. Tregjet në Nyrenberg

Tregjet e Vitit të Ri në Nyrenberg, në Gjermani, janë të njohur në të gjithë botën. Numërohen rreth 200 shitës, ndërsa ata vizitohen nga më shumë se dy milionë persona në vit.

4. Pema në Nju Jork

Çdo vit, pema e Krishtlindjeve në Nju Jork, i lë me gojë hapur njujorkezët dhe jo vetëm. Me origjinë norvegjeze, ajo arrin një gjatësi maksimale prej 30 metrash dhe dekorohet me më shumë se 30 mijë drita.

5. Key West, Florida

Për ata që nuk e durojnë të ftohtin, por edhe të nxehtin, Key West në Florida, mund të jetë një zgjedhje e mirë. Dielli, palmat, plazhet, temperaturat e duhura, por edhe dritat tradicionale të festave të fundvitit do t’ju bëjnë që të kaloni pushimet më relaksuese të këtij sezoni, si asnjëherë tjetër.

6. Mianmar, Birmani

Nëse jeni lodhur nga atmosfera tradicionale e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri, mund t’i bëni një udhëtim mbresëlënës në Mianmar të Birmanisë. Mes plazheve të mrekullueshme, monumenteve unike me një stil padyshim oriental dhe një kulturë komplet të ndryshme, do të kaloni me siguri një fundvit të paharrueshëm.