Transmetuar më 19-12-2017, 19:35

Jo vetëm Tirana zyrtare, por edhe Athina është optimiste për zgjidhjen e konflikteve të mbartura ndër vite mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kështu ka lënë të kuptohet deklarata e Ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias në një intervistë në kanalin Ert ku foli në lidhje me Shqipërinë.

Përsa i përket Shqipërisë, Kotzias ka deklaruar se “koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur gjithë problemet, duke u shërbyer interesave greke por pa cenuar palën tjetër”.

Ndërsa nuk e mohon se prioritare për qeverinë shqiptare është abrogimi i ligjit të luftës. Ministri Kotzias është ndalur edhe në çështjen e kufirit detar, duke thënë se “është e drejta e Greqisë të zgjerojë zonën e Egjeut”.

 “Delimitimi detar është mjaft i rëndësishëm për Greqinë, për përcaktimin e AOZ veçanërisht me Shqipërinë, të drejtat tona sovrane janë mese prioritare nga të gjitha aspektet”, deklaroi Kotzias.

Ministri përshëndeti edhe vendimin e qeverisë shqiptare për rindërtimin e varrezave të ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës në vendin tonë.