Transmetuar më 22-12-2017, 08:26

Kryeministri Edi Rama e nis mëngjesin e kësaj të premteje, duke publikuar shkrimin e një reviste suedeze, ku Shqipëria renditet si destinacioni më i mirë turistik për vitin 2018.

“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull të revistës më të madhe suedeze për udhëtime, 'Vagabond', që e liston Shqipërinë si destinacionin më të mirë për vitin 2018, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Ai shton se vitin e kaluar, numri i vizitorëve nga Suedia në Shqipëri u rrit me 63%, duke thënë se rritja e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijon edhe këtë vit në nivele mjaft inkurajuese.

Po ashtu Kryeministri deklaron se gjatë 11 mujorit 2017, numri i vizitorëve të huaj për qëllime pushimi u rrit me +23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa i atyre për qëllime biznesi u rrit me +20%.

Rama thotë se artikulli e rendit Shqipërinë në krye të listës së vendeve për të mos u humbur në 2018 duke theksuar: “Këtë vit, bordi redaktues ka listuar 35 destinacione në gjashtë kategori: vendet më të mira, qytetet më të mira, aventurën më të mirë, më të mirët e diellit, udhëtimet më të mira ushqimore dhe udhëtimin më të mirë buxhetor. Fituesi në kategorinë më të mirë është Shqipëria, pasi ajo ka gjithçka, nga majat e thyera malore deri te plazhet e arta mesdhetare”. /a.y/noa.al