Transmetuar më 22-12-2017, 12:40

Një dietë e pasur me mollë dhe domate, mund të ndihmojë ish-duhanpirësit që të pastrojnë mushkëritë e tyre të dëmtuara ndër vite nga cigaret.

Është kjo ajo që thuhet nga një studim amerikan i “Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health”, i publikuar në revistën shkencore ‘European Respiratory Journal’.

Në studim u përfshinë 650 persona, ish-duhanpirës dhe jo duhanpirës. Ata vlerësuan konsumin ditor të frutave dhe perimeve, për 10 vite me radhë.

Rezultoi se ata persona që dikur kishin pirë duhan dhe që konsumonin domate dhe fruta të freskëta, kryesisht mollë, kishin një përmirësim dhe pastrim të mushkërive në mënyrë të ndjeshme.

Ekspertët thonë se ky efekt pozitiv në mushkëri shihet nëse konsumohen së paku dy domate në ditë dhe tre mollë, shkruan noa.al.

“Ky studim tregon se dieta mund të ndihmojë në riparimin e mushkërive të dëmtuara nga tymi i cigares dhe të ngadalësojë plakjen e mushkërive të të gjithë njerëzve. Funksioni i mushkërive nis nga rënia rreth moshës 30-vjeçare”, thotë drejtuesja e studimit Vanessa Garcia-Larsen. /a.y/noa.al