Transmetuar më 22-12-2017, 13:13
Publicitet

Sekretariati Shqiptar EITI në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në datat 20 dhe 21 dhjetor, organizuan Konferencën Ndërkombëtare me temë “Shfrytëzimi i Potencialeve dhe Avantazheve të Shqipërisë si vend anëtar i EITI Ndërkombëtar”/ “Taksat dhe kuadri ligjor i industrive nxjerrëse-rasti i Shqipërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

EITI është një koalicion i përbërë nga 51 vende, që synon optimizimin e shfrytëzimit të Burimeve Natyrore (minerare, hidrokarbure dhe hidroenergjetike) dhe ka për qëllim promovimin e Transparencës për të parandaluar korrupsionin, t’i sigurojë institucioneve dhe qytetarëve një bazë për të vlerësuar përdorimin e drejtë të burimeve natyrore.

Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Shqiptar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, Ardit Kamberi,  në fjalën e tij u shpreh se e shikon  EITI-n si një vitrinë për investitorët e huaj,  duke nxitur transparencën si edhe për të ndikuar drejtpërdrejt në thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Kamberi u ndal në avantazhet e zbatimit të standardit EITI janë polivalente në kushtet e Shqipërisë.

Sipas tij, zbatimi i standardit EITI përmirëson sistemet qeveritare dhe mund të çojë në përmirësimin e grumbullimit të taksave dhe planifikimit buxhetor dhe se një qeveri transparente dhe e hapur politikisht rrit besimin e qytetarëve.

Të gjitha kompanive i kërkohet të deklarojnë në bazë të një standardi të njëjtë ndërkombëtar. Kompanitë gjithashtu përfitojnë nga një klimë e qëndrueshme biznesi dhe tregu, duke nxitur investimet dhe kufizuar  konkurencën e pandershme.

Qytetarët përfitojnë nga marrja e informacionit të besueshëm në lidhje me burimet natyrore të vendit të tyre dhe për ti mundësuar atyre llogaridhënien nga ana e Qeverisë dhe kompanive. Në këtë kontekst, Shoqëria Civile është një partner thelbësor në zbatimin EITI.

Në fjalën e tij drejtori i Sekretariatit EITI deklaroi se “Fokusi i EITI-t, përqendrohet në trajektoren ndërmjet burimeve natyre dhe përftimit publik, ku natyrisht koncentrohet në të ashtuquajturin Zinxhiri i vlerave, i cili nisë me procedurat koncensionare, me prodhimin mbledhjen e të ardhurave dhe deri të kontributi social dhe ekonomik.

“EITI kërkon të forcojë shëndetin dhe imunitetin e sistemeve qeveritare si edhe të biznesit po ashtu të nxisë debatin dhe transparencën për interesin publik”, u shpreh Kamberi.

Duke ju referuar të dhënave mbi Trendet e Prodhimit  të reflektruara në Raportin zyrtar EITI 2015, rezulton se  Prodhimi i sektorit të Minerareve në vitin 2015 (vlerësuar në rreth 230 milionë USD),  është rritur në masën 55 % në krahasim me prodhimin Minerar  të vitit 2012  ( i vlerësuar me 149 milionë USD).

Energjia Elektrike në vitin 2015 (vlerësuar në rreth 398 milionë USD), është rritur si prodhim në krahasim me vitin 2013 në masën 276 %.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enis Aliko, gjatë fjalës së mbajtur para të pranishmëve renditi disa rezultate nga Raporti paraprak i vlerësimit.

“Vërej se nga 28 kapituj të shqyrtuara nga vlerësuesi, në 50% të kapitujve kemi ecuri mjaft të mirë, në gati 45% të kapitujve kemi ecuri të mjaftueshme dhe vetëm 5% janë vlerësuar si të pamjaftueshme ose pa progres. E gjitha kjo është shumë pozitive, por në të njëjtën kohë na ngarkon edhe me përgjegjësi të madhe për ruajtjen e këtij standardi dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij”, tha ai.

Në procesin e vlerësimit i është kushtuar rëndësi veprimtarisë së Grupit Ndërinstitucional të Punës për EITI-n dhe rolit të tij në udhëheqjen e proceseve strategjike EITI-t në Shqipëri. Dua të theksoj se një nga aspektet kryesore është raportimi dhe mbledhja e të dhënave në kohë, si edhe cilësia e të dhënave”, nënvizoi Aliko.

Zëvendësministri kërkoi një angazhim akoma më të madhe edhe nga shoqëritë civile të cilat sipas tij janë jashtëzakonisht të dobishme për këtë Nismë Transparence.

Aliko ndër të tjera tha se EITI është në procesin e miratimit të draft ligjit “Për transparencën e veprimtarive të industrive nxjerrëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në Republikën e Shqipërisë”.

“Qëllimi i këtij ligji është të nxisë dhe sigurojë rritjen e transparencës në veprimtaritë e industrive nxjerrëse në veçanti dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në përgjithësi, përmes zbatimit të standardeve ndërkombëtare EITI. Një ndër objektivat e EITI është edhe rritja e transparencës mbi pronarët ose përfituesit përfundimtarë të aktiviteteve të industrisë nxjerrëse dhe brenda vitit 2020 do të krijohet edhe regjistri i përfituesve përfundimtarë, raportimi i të cilëve do të jetë i detyrueshëm”, u shpreh Aliko.

“Nga ky këndvështrim jemi të ndërgjegjshëm se modelet e marrëveshjeve të nënshkruara para 20 ose 25 vjetësh nuk janë të përshtatshme për optimizimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore. Për këtë jemi duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e specialistëve ndërkombëtare, duke synuar hartimin e rregullave të reja për mënyrën e tërheqjes së investuesve, për mënyrën e dhënies në kërkim apo shfrytëzim të zonave e blloqeve ekzistuese apo të reja dhe për shpërndarjen sa më të drejtë të përfitimeve nga aktivitetet nxjerrëse. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrencës së lirë dhe këtu përqendrohen përpjekjet tona,” e përfundoi fjalën e tij Zëvendësministri Aliko.

Gjatë Konferencës u transmetua një video mesazh nga Drejtuesi i Sekretariatit Ndërkombëtar EITI,  Jonas Moberg, i cili vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim vlerësoi nivelin e bashkëpunimit dhe të angazhimit të Shqipërisë në procesin EITI.

Po ashtu, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete bëri një prezantim të aspektit financiar të impaktit të refelektimit të standerdeve ndërkombëtare në sektorin e industrive nxjerrëse në Shqipëri.

Eventi u shoqërua edhe me një ekspozite fotografike, në të cilën u evidentuan shumë aspekte dhe pamje nga aktiviteti në sektorët Minerarë, Hidrokarbur dhe Elektro-Energjitik në Shqipëri. /a.y/noa.al