Transmetuar më 22-12-2017, 14:19
Publicitet

Paketa e fundit Fiskale e miratuar nga Kuvendi dhe që hyn në fuqi në një pjesë të mirë të ndryshimeve më 1 janar 2018 solli edhe një rishikim tek ato që konsiderohen automjete luksoze. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të këtyre ndryshimeve, ka sjellë edhe një herë në vëmendje për qytetaret risitë në ligjin “Për taksat kombëtare” ku përfshihet edhe ajo për automjetet.

“Në kuadër të Paketës së re Fiskale, e cila do të zbatohet përgjatë vitit 2018, me ligjin nr.104/2017 Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, ka pësuar ndryshim trajtimi i atyre që quhen mjete luksi, ku për efekte takse, “Automjet luksoz” konsiderohen autoveturat deri 6+1. (neni 2, pika 5) si dhe ka pësuar një ndryshim neni 11 “Tarifa shërbimi”, germa ç) ku janë hequr tarifat për shërbime gjyqësore, pasi ato do të reflektohen në një ligj të veçantë, duke parashikuar që fusha e zbatimit të këtij ligji të shtrihet mbi tarifat për veprime e shërbime të administratës së Ministrisë së Drejtësisë, prokurorisë dhe noterisë (ndryshim, i cili do hyjë në fuqi më 1 Qershor 2018).

Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 222, datë 19.12.2017 dhe hyn në fuqi më datë 01 Janar 2018, me përjashtim të pikës 2 që hyn në fuqi më 1 Qershor 2018.

Ju mund të konsultoni ligjin e përditësuar edhe në rubrikën “Legjislacioni, Taksat Kombëtare”, deklarojnë Tatimet, shkruan ‘Monitor’.

Nga llogaritjet e Financave, ndryshimet në ligj të lidhura me automjetet e luksit pritet të japin një efekt pozitiv prej 19 milionë lekësh në buxhet.

Me ligj, këtë taksë e paguanin të gjithë ato mjete 4+1 që kishin cilindratë mbi 3000 cm³ ose vlerë të barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë.