Transmetuar më 23-12-2017, 12:52
Publicitet

Cilat janë 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në vend për vitin 2016. Sektorët që fitojnë më shumë dhe ata që “vuajnë” për t’u kënaqur me pak.

Të bësh biznes dhe të fitosh në biznes në Shqipëri, në shumicën e rasteve, duket se është më mirë të kesh fat, sesa aftësi. Fat, në kuptimin që të marrësh një koncesion, të fitosh një tender, të ndërtosh atje ku e sheh më të leverdishme, apo dhe të tundosh shqiptarët që të rrotullojnë ruletën apo vendosin baste, në pritje që të bëhen milionerë brenda një çasti.

Është ironike, por mjaft kuptimplotë, që në një vend të varfër dhe me papunësi të lartë, sektori me norma fitimi më të larta në vitin 2016 ishte ai i lojërave të fatit dhe kazinove, që u kthen mbrapsht sipërmarrësve rreth nga 30-50% të të ardhurave të realizuara.

Koncesionet janë një tjetër segment, ku kthimi është i garantuar dhe i lartë, teksa llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim. Në të njëjtën linjë, kompanitë që punojnë me tenderë me sektorin publik, sërish dalin të kënaqura nga kjo marrëdhënie.

Ndërtimi është në një periudhë të mirë ciklike dhe po gjeneron fitime të larta, ndaj nuk është çudi që i gjithë kapitali i lirë po synon të bëhet sërish “llaç e tulla”. Qiradhënia po rezulton një tjetër sektor që mund të sjellë fitime të larta, ndonëse, jo për të gjithë.

Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga Monitor, 100 subjektet me fitim më të lartë në vend, fituan në total 62 miliardë lekë, ose 505 milionë euro. Kjo përbën 35% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2016-n. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2016-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në 194 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 5% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Fitimet e 100 më të mëdhenjve janë sa dyfishi i atyre që fituan në total mbi 93 mijë biznese të vogla, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor. Sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjes 2015 (e fundit e disponueshme), 93,376 subjekte me 1-4 punonjës raportuan fitime prej 38 miliardë lekësh. (LEXO EDHE http://www.monitor.al/sipermarrjet-norma-te-larta-fitimi-ne-vend/)

10 sipërmarrjet me fitimin më të lartë në vlerë absolute

1.OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka fituar në vitin 2016 “kurorën” e të gjitha renditjeve, jo vetëm si kompania më e madhe në vend sipas të ardhurave (52 miliardë lekë), por edhe me fitimet më të larta. Sipas të dhënave nga Tatimet, fitimet e OSHEE nga aktiviteti arritën në 11.3 miliardë lekë, ose rreth 82 milionë euro. Në bilancin zyrtar, fitimi total i raportuar është 21 miliardë lekë, por që ka të bëjë me të ardhurat e jashtëzakonshme, ku efektin kryesor e ka dhënë rimarrja e provizioneve, me një verë neto prej 8,3 miliardë lekësh, që ka të bëjë kryesisht me efektet financiare të zbatimit të metodologjisë së llogaritjes së provizioneve të klientëve.

“Rezultatet e kompanisë janë një tregues i qartë që OSHEE me strategjinë dhe hapat që po ndërmerr prej më shumë se 2 vitesh, është drejt një konsolidimi të plotë, si shoqëri publike për të arritur qëllimin final, sigurimin në mënyrë të plotë dhe të sigurt të misionit të saj të furnizimit të të gjithë klientëve të OSHEE me energji elektrike, në mënyrë cilësore dhe me çmime konkurruese në vend dhe rajon”, ka pohuar më herët administratori i OSHEE-së, Adrian Çela.

2-3. BKT dhe Intesa

Pas OSHEE janë bankat që vijojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta. BKT deklaroi një rezultat para taksave prej 8.5 miliardë lekësh (62 milionë euro), me një rritje prej 17% në krahasim me 2015-n. BKT është më e madhja në vend sa u përket aktiveve, depozitave dhe stokut të kredisë dhe në vite ka shënuar aktivitet të qëndrueshëm.

Intesa SanPaolo Bank renditet e treta, me fitime prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro), me rritje 4% me bazë vjetore. Intesa është banka e katërt në vend për nga madhësia e aktiveve (pas BKT, Raiffeissen, Credins), por rezulton një nga më fitimprurëset në sektor.

4. Tirana International Airport

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2016-n, duke u renditur e katërta në total. Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2016 arriti në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro, me një rritje prej gati 16% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri.

Norma e fitimit arriti në 44%. Kjo nënkupton që vitin e kaluar nga 100 lekë të ardhura, që TIA ka marrë nga taksat që ajo u ngarkon kompanive ajrore që fluturojnë nga Aeroporti i Rinasit, 44 lekë kanë shkuar si fitim për koncesionarin. Marzhi i fitimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2015, ai ishte 41% dhe në 2013-n 35.5%, duke e bërë koncesionarin e aeroportit një prej kompanive më fitimprurëse në Shqipëri.

TIA, vitin e kaluar, u shit te kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, me seli në Singapor dhe në mars 2016, arriti të zgjaste dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare. Por, ndonëse po mbushen dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes, nuk ka asnjë dritë në horizont që Kukësi do të fillojë fluturime nga ndonjë linjë ndërkombëtare, ndërsa TIA vijon t’i gëzohet fitimeve të larta, me afatin e koncesionit, që tashmë është zgjatur deri në vitin 2027.

5. SPIECAPAG – Shqipëria

I pesti me fitime më të mëdha është një operator i ri në treg, i krijuar në shkurt 2016. SPIECAPAG – Shqipëria është katapultuar menjëherë te kompanitë më të mëdha, sipas të ardhurave dhe fitimeve, me qarkullim vjetor prej 15 miliardë lekësh (rreth 110 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro). SPIECAPAG është një nga nënkontraktorët kryesorë të gazsjellësit TAP, që po ndërtohet në Shqipëri.

Objektet kryesore të veprimtarisë së shoqërisë janë dizenjo, inxhinieri dhe ndërtim, asistencë teknike për impiante dhe makineri të rënda, ndërtimi dhe mirëmbajtje e impianteve përkohësisht, përfshirë shërbime në terren. Një tjetër kompani e grupit është SPIECAPAG Transadriatica, e krijuar më korrik 2016, që ka si objektiv aktiviteti, ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP. Kompania deklaroi fitime prej 200 milionë lekësh (1.5 milionë euro). SPIECAPAG, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë (Fier).

6. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila tashmë administron vetëm asetet e kaskadës së hidrocentraleve në lumin Drin, ka arritur të mbajë nën kontroll shpenzimet, duke deklaruar rritje të fitimeve me 23% në 1.8 miliardë lekë. Rritja e fitimeve, sipas drejtorit të KESH, Agron Hetoja, erdhi nga mirëmenaxhimi, por edhe kushtet e mira hidrike. Por, ai paralajmëron se 2017-a nuk ka qenë kaq i mbarë për shkak të thatësirës dhe disa rregullimeve ligjore, që nuk i lanë KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe kanë shkaktuar kosto shtesë, që nuk mbulohen nga çmimet e lëna në fuqi nga Enti Rregullator i Energjisë. Të dhënat e KESH tregojnë se, për 9-mujorin 2017, humbja neto e kompanisë ishte 4.2 miliardë lekë (31 milionë euro).

7. RFZ Building

RFZ Building, pjesë e grupit Balfin, me aktivitet në fushën e ndërtimit, ka hyrë për herë të parë ndër 10 më të mëdhenjtë. Fitimet e kompanisë u trefishuan në 1.4 miliardë lekë (mbi 10 milionë euro). Në dhjetor 2016, Kompania është përthithur nga zinxhiri i supermarketeve SPAR, po pjesë e grupit Balfin, si një mënyrë për t’i dhënë sinergji dhe për optimizim fiskal sipërmarrjeve të grupit, teksa RFZ Building rezulton me fitime të larta, ndërsa rrjeti i supermarketeve SPAR është me humbje.

8. Kastrati sh.a.

Kastrati sh.a., që renditet sipërmarrja e dytë më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor, është e teta në listën e kompanive me fitime më të larta, me 1.3 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 4% në raport me një vit më parë. Normat e fitimit të kompanisë kanë mbetur minimale, në rreth 3%, që është marzh karakteristik i sektorit të tregtimit me shumicë të karburanteve.

9. Apex-Al

Operatori i lojërave të fatit është një tjetër hyrje e re tek dhjetëshja, teksa ky biznes nuk po ndien krizë dhe po shënon rritje vit pas viti. “Përpjekjet” e qeverisë për t’i dhënë fund kësaj marrëzie, duket se kanë ndikuar në drejtimin e kundërt. Fitimet e kompanisë ishin 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej 22% me bazë vjetore.

10. Mane TCI

Mane TCI, me aktivitet në fushën e ndërtimit, është sërish një hyrje e re dhe kompania e dytë e grupit Balfin që renditet në dhjetëshe. Fitimet ishin 1.13 miliardë lekë, pothuajse trefishin në raport me vitin e mëparshëm.

Daljet

Nga renditjet e 10 më të mëdhenjve këtë vit ka dalë Raiffeisen, që ka rezultuar me humbje prej 2.4 miliardë lekësh, nga fitimet prej 4.1 miliardë lekësh në 2015-n. Një tjetër dalje është Aleat, koncesionari i pasaportave, fitimi i së cilës ka rënë me 31%, në 1 miliard lekë.

Nafta, shumë xhiro për pak fitime

Sipërmarrësit e karburanteve, për të gjithë mundin e tyre në menaxhimin e një aktiviteti voluminoz, ku renditen ndër kompanitë më të mëdha sipas xhiros, duhet të kënaqen me fitime të ulëta.

Norma mesatare e fitimit para taksave të sipërmarrjeve të përqendruara në tregtimin e karburanteve luhatet në 0.5-2.9% (disa dhe me humbje), duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4-6%.

Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta. Luhatjet në këtë sektor janë shumë të larta, me kompani që hyjnë dhe dalin nga tregu brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Ndërsa janë të shumtë subjektet e tregtimit të naftës që mbizotërojnë në listën e 100 kompanive më të mëdha, sipas të ardhurave (që sidomos te ky sektor nuk tregon shumë, pasi është i lidhur me ecurinë e çmimit të naftës) tek ajo e fitimeve janë vetëm dy, Kastrati (shumicë dhe pakicë) dhe Bolv Oil.

Kastrati sh.a., operatori më i madh i tregut të shumicës, ka një normë fitimi prej 2.9%, më e larta e raportuar nga kjo kompani vitet e fundit (në 2015-n, norma ishte 2%). Më i lartë është fitimi në tregun e pakicës, ku Kastrati sh.p.k raporton një normë prej 6.3%, sërish në rritje në krahasim me 2015-n.

Më të lartë e ka normën e fitimit operatori tjetër i shumicës, Bolv Oil, në 8.1% (fitime prej 609 mln lek%), por aktiviteti i tij është pak më kompleks për t’u analizuar vetëm nga kjo shifër, pasi Bolv Oil ka edhe rolin e nënkontraktorit të prodhuesit të naftës Bankers Petroleum.

Genklaudis, operatori i dytë më i madh i tregtimit të shumicës pas Kastratit, ka deklaruar fitime prej 189 milionë lekësh, me një normë prej 1.2%. EuroPetrol Durrës Albania (i treti sipas xhiros), raportoi fitime minimale (15.3 milionë lekë), me një normë prej 0.5%.

Sun Petroleum Albania Trading (distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, e krijuar në tetor 2013) deklaron humbje. RDA Petrol është gjithashtu me humbje.

Kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës, Albpetrol, ka përmirësuar ndjeshëm përfitueshmërinë. Fitimet nga aktiviteti në vitin 2016 arritën në rreth 1 miliardë lekë, si rrjedhojë e konjukturës më të favorshme të tregjeve ndërkombëtare, ku çmimi i naftës ishte në rritje, sipas Endri Pukës, drejtorit të drejtorit të Albpetrol. Në bilancin përfundimtar të miratuar së fundmi nga Këshilli Mbikëqyrës, fitimi total i deklaruar është 1.5 miliardë lekë, pas rishikimit të bilanceve të viteve paraardhëse.

Telekomunikacionet, fitime minimale

Operatorët e mëdhenj të telefonisë celulare kanë hyrë në vitin e dytë me fitime të ulëta, teksa tregu i telekomunikacioneve është larg fitimeve të mëdha të disa viteve më parë, ku normat arrinin edhe mbi 50%. 2016-a ka qenë viti më i keq për Vodafone dhe Telecom Albania, për sa u përket fitimeve, që kur ata kanë filluar aktivitetin e tyre.

Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 17 miliardë lekësh (zgjerim 8.4% me bazë vjetore), ka deklaruar fitime para taksave prej 405 milionë lekësh, me një rënie prej 31% nga deklarimet në bilanc në 2015-n. Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes dhe shërbimeve, në raport me zgjerimin e të ardhurave. Norma e fitimit ishte vetëm 2.4%. Fitimi pas taksave ishte minimal prej 98 milionë lekësh, për shkak të shpenzimeve të larta të tatimfitimit (për shkak të mosnjohjes së shpenzimeve të zbritshme nga Tatimet).

Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura prej 10.4 miliardë lekësh, raportoi fitime minimale prej 155 milionë lekësh, me një tkurrje prej 80% në raport me 2015-n. Për herë të parë, Telecom Albania nuk është në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet kanë mbetur në vend. Ashtu si në rastin e Vodafone, Telecom Albania ka rezultuar me fitim minimal pas tatimit (22 milionë lekë), për shkak të mosnjohjes së shpenzimeve.

Albtelecom, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka vijuar sërish aktivitetin me humbje, që gjithsesi është përgjysmuar nga 2.2 miliardë lekë, në 1.1 miliardë lekë.

Plus Communication, operatori i katërt në treg, ka rezultuar për herë të parë me një fitim nga aktiviteti prej 134 milionë lekësh. Megjithatë, aktiviteti me humbje, që kur hyri në treg në 2009-n, bënë që aksionerët e kompanisë të marrin vendimin për të shitur frekuencat tek Vodafone dhe Telecom Albania në tremujorin e fundit të këtij viti, duke dalë kështu nga tregu i telefonisë së lëvizshme, që kthehet me tre operatorë aktivë pas 31 dhjetorit të këtij viti.

Abcom është një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet) ka deklaruar fitime prej 368 milionë lekësh, me normë kthimi prej 20%.

Info-Telecom, me aktivitet shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar e ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 269 milionë lekësh, me normë të ulët fitimi prej vetëm 2.1%.

Ndërtimi, në lulëzim

Si asnjëherë tjetër këto vitet e fundit, kompanitë e ndërtimit mbizotërojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta, duke reflektuar rikthimin e këtij sektori në një cikël pozitiv rritjeje, teksa vala e re e likuiditeteve në ekonomi po orientohet pikërisht në ndërtesa rezidenciale, kulla shumëkatëshe e resorte turistike. Këtyre u shtohen dhe projektet e pritshme të punëve publike, në kuadër të planit “One Billion”.

Për ndërtesat rezidenciale, normat e fitimit janë shumë të luhatshme. Në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve mund të arrijnë edhe në mbi 70%. Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike raportojnë normë maksimale prej 25% (Gjoka Konstruksion), por ka dhe nga ata që kënaqen me norma minimale prej 3%.

C.A.E., me aktivitet ndërtimet civile e industriale, hidrocentrale, turizëm, real astate, ka deklaruar normën më të lartë të fitimit në ndërtim, prej gati 76% (në vlerë absolute fitimet ishin 581 milionë lekë).

Në vlerë absolute, subjektet e ndërtimit me fitime më të larta ishin RFZ Building dhe Mane TCI (përkatësisht 1.4 dhe 1.1 miliardë lekë), të ndjekura nga Gjoka Konstruksion me 818 milionë lekë.

Normat më të ulëta të fitimit i kanë deklaruar Gener 2 dhe Trema Engineering, me përkatësisht 3.6 dhe 3.1%.

Fati i madh i lojërave të fatit

Përpjekjet e qeverisë për t’i dhënë fund marrëzisë së lojërave të fatit në fund të vitit 2014, menjëherë pasi qeveria e re erdhi në pushtet, vetëm sa u kanë shtuar më shumë fatin kompanive, duke e shndërruar atë absolutisht në një ndër sektorët më fitimprurës në vend. APEX renditet në dhjetëshe (1.3 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 51%.

VLT Albania raportoi 450 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 42%. Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 31%.

Astra Albania raportoi fitime prej 557 milionë lekësh, me një normë prej 27%. Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 353 milionë lekë.

Pritet të shikohet se çfarë ndikimi do të japë në këtë aspekt futja në funksion e koncesionit të monitorimit të këtyre subjekteve, që ka hyrë në fuqi në mes të këtij viti. Ky koncesion është kundërshtuar në Gjykatë nga Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive.

Koncesionarët bëjnë “namin”

Teksa vendi është përfshirë në një debat mbi efektshmërinë e kontratave koncesionare, ecuria e kontratave aktuale hedh dritë se pse të gjithë rendin në këtë formë marrëdhënieje me shtetin. Tregu është i garantuar, fitimet po ashtu. Normat e fitimit, në pjesën më të madhe, luhaten nga 30 në 60%.

Janë të shumta kompanitë koncesionare në këtë listë. I pari, sipas fitimeve në vlerë absolute, është Tirana International Airport, me 2.3 miliardë lekë.

I dyti është Aleat, që ka me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave, me 1.1 miliardë lekë fitime, ndonëse me rënie në raport me një vit më parë. Norma e fitimit në 2016-n ishte sërish e kënaqshme, prej 38.5%.

S2 Albania, kompania që po zbaton marrëveshjen koncesionare për skanimin në dogana, ka deklaruar në tatime të ardhura prej rreth 1.5 miliardë lekësh për vitin 2016, apo 11.3 milionë euro. S2 Albania ka deklaruar në 2016-n fitime, që arritën në 459 milionë lekë (para taksave), ose rreth 3.4 milionë euro, me një normë kthimi prej rreth 30%, duke iu shtuar në këtë mënyrë listës së koncesionarëve që kanë norma të larta fitimi.

Në listë janë dhe koncesionarët e energjisë, Energija D.O.O Veternik, GJO-SPA POWER dhe ALB-ENERGY.

Koncesionari me normën më të lartë të fitimit është GJO-SPA POWER, me 64%. Përfitueshmëri të lartë kanë dhe operatorët që ofrojnë shërbime portuale, përkatësisht Anijet e Shërbimit Detar (59%) dhe Durrës Container Terminal (34.4).

Një vit jo aq i mbarë për bankat

Edhe për bankat, fitimet shënojnë luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin, të ndikuara nga shpenzimet për provigjionime që lihen mënjanë për kreditë e këqija. Katër banka rezultuan me humbje në 2016-n, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave (Raiffeisen, Veneto, Alpha dhe Credit Bank of Albania). Në total, sipas standardeve ndërkombëtare IFRS (mbi bazë të të cilit bankat paguajnë tatimfitimin), fitimi i sistemit në total ra me 74%.

Normat e fitimit në sistem luhaten nga 4% në mbi 40%.

BKT dhe Intesa SanPaolo kanë deklaruar fitimet më të larta, përkatësisht 8.5 dhe 2.8 miliardë lekë. BKT raportoi dhe normën më të lartë, me gati 50%.

Në shumicën e rasteve, profitabiliteti është ndikuar nga provigjonimet si në rastet pozitive (profitabilitet i lartë për rimarrje të provigjoneve) apo ato negative (profitabilitet i ulët apo edhe humbje, për arsye të provigjoneve të larta për kreditë me probleme-NPL)

Pas Intesa në listë është Societe, e ndjekur nga Banka e Parë e Investimeve, Credins, Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Union Bank.

Distributorët rrisin normën e fitimit

Segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë, i cili historikisht ka raportuar norma të ulëta fitimi 1.5-5%, gjatë vitit 2016 ka rezultuar me përmirësim të përfitueshmërisë për disa nga operatorët.

AGNA, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 598 milionë lekësh, me një normë prej 4.7%, me rënie të lehtë në raport me një vit më parë. Alpha sh.a., pjesë e të njëjtit grup me AGNA, ka arritur të rrisë fitimet në 479 milionë lekë, me një normë kthimi në rritje nga 5% në 5.6%.

Marketing & Distribution ka parë rënie të fitimeve prej 8.6%, në 318 milionë lekë. Për të dytin vit radhazi, norma e fitimit është rritur lehtë, duke arritur në 3.6%.

Inter Distribution Service ka deklaruar një normë fitimi prej 2.1%.

Albanian Distribution & Development rezulton një nga më fitimprurëset në këtë segment, me një normë prej 11.6%. Kthime të larta raporton dhe Interbrands prej gati 11%.

Call center reziston, por…

Deri në vitin 2013, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë rritje të ndjeshme dyshifrore. Biznesi lulëzoi disa vjet më parë, kur sipërmarrjet italiane transferuan këtë shërbim në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Këto kompani u bënë një burim i mirë punësimi, sidomos për brezin e ri, megjithëse konsiderohet si punë e një cilësie të ulët, që paguajnë relativisht pak.

Por, në 2014-2016, rritja e të ardhurave është ngadalësuar. Edhe fitimet dhe përfitueshmëria kanë shënuar rënie për herë të parë. Normat e fitimit mbeten ende dyshifrore, por ato kanë rënë nga niveli i 25-30% që ishin vitet e kaluara, duke zbritur nën 20%.

Intercom Data Service ka raportuar fitime 550 milionë lekë, me një rënie prej 15.6% me bazë vjetore. Ecurinë më të mirë e ka shënuar Albania Marketing Service (Teleperformance), fitimi i së cilës u rrit me 30%, në 670 milionë lekë.

Më pak i kënaqshëm ka rezultuar aktiviteti për Albacall, fitimet e së cilës ranë lehtë në 480 milionë lekë.

Sfida e vërtetë e sektorit filloi këtë vit, si rrjedhojë e presionit të lartë të qeverisë italiane për të ndaluar zhvendosjen e vendeve të punës. Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve jo anëtare të BE-së dhe vendosi gjoba deri në 50 mijë euro për shkelje të tilla si p.sh., mostregimi i vendit të origjinës nga po kryhej telefonata. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi, me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj. Kompanitë më të mëdha italiane u angazhuan që të mos sjellin kontrata në Shqipëri.

Deri tani, presionin e kanë ndier operatorët e vegjël, të cilët kanë filluar të mbyllen masivisht, ndërsa të tjerë janë diversifikuar në ofrimin e shërbimeve forex, shpesh edhe pa licencë. / Ornela Liperi/monitor/