Transmetuar më 28-12-2017, 08:40

Sërish frikë prej terrorizmit, kësaj radhe në Shën Petërburg të Rusisë, vend i cili u godit edhe në muajin prill nga një sulm terrorist në metro, ku humbën jetën 15 persona dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.

Një bombë e përgatitur në mënyrë artizanale, e shoqëruar dhe me gozhdë shpërtheu në qendrën tregtare ‘Gigant Hall’, në zonën ku vendosen çantat në supermarketin e njohur rus ‘Perekrestok’.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm të shënuar mbrëmjen e së mërkurës, 10 persona mbetën të plagosur. Nga hetimet paraprake rezultoi se bomba ishte përgatitur me 200 gramë tritol.

“Të gjitha pistat janë të hapura, përfshi dhe terrorizmin”, tha zëdhënësja e policisë Svetlana Petrenko.

Qendra tregtare ‘Gigant Hall’, në momentin e shpërthimit ishte plotë me njerëz, të cilët këto ditë bëjnë blerjet e fundvitit për Vitin e Ri, pasi Krishtlindjet ortodokse, rusët i festojnë më 7 janar. /a.y/noa.al