Transmetuar më 29-12-2017, 13:44

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me krahasimin që kryeministri Rama i bëri asaj me Eleonorën e Selitës gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook Kryemadhi është shprehur se “krahasimet dhe batutat pa kripë të kryeministrit, vetëm se dëshmojnë edhe njëherë, pafuqinë e tij për t’u përballur me katastrofën drejt së cilës po e çon Shqipërinë”.

Më tej ajo thekson se “Eleonora që ai përmend (ndjesë pastë) ndoshta i kujton lexueset e filxhanëve, që i mbante dikur në bashki e sot në zyrat e kryeministrisë.

Siç duket as detox-i dhe as botox-i i New Yorkut nuk e kanë ndihmuar të kthjellojë logjikën dhe arsyen, për të kuptuar se e keqja e madhe e Shqipërisë është ai dhe bandat që e drejtojnë”.

Kryemadhi shton më tej se Edi Ramën nuk e shpëtojnë dot as fallxhoret dhe as banditët, as servilët dhe as kllounët nga fatkeqësia e tij më e madhe, papërgjegjshmëria dhe kriminalizimi i mendjes së tij perverse.

“As Eleonora e tij nuk e shpeton dot, edhe pse u përpoq shumë që të mos duket Lolo! Janari e më tej do të jenë vazhdimi i makthit të tij dhe nisja e procesit të çlirimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga qeveria e banditëve dhe drogës”./b.l/noa.al/