Transmetuar më 29-12-2017, 14:42

Partia Demokratike reagon lidhur me vendimin e sotëm të kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, për të shkarkuar prokuroren Rovena Gashi.

PD thotë se kapja politike e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama, pasi kthimit të pasaportës për Saimir Tahirin, dha sot një tjetër efekt.

Sipas partisë më të madhe në opozitë, “Kryeprokurori Edi Rama” shkarkoi drejtuesen e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, dy ditë pasi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, zonja Gashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi.

Në këtë linjë nënvizohet se shkarkimi i prokurores Rovena Gashi, e cila e drejtoi Sektorin e Dekriminalizimit që në krijimin e tij, është hakmarrje direkte e Edi Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi.

“Thuhet se 10 ditë pas emërimit politik të Prokurorit të Përgjithshëm, në shkelje të hapur me Kushtetutën, u faktua mashtrimi i madh i Edi Ramës, argumenti kryesor i të cilit ishte se Prokurori i Përkohshëm nuk kishte asnjë kompetencë thelbësore për të lëvizur prokurorët apo për të ndikuar në mbylljen e dosjeve. Skema e Edi Ramës në mbrojtje të aleatëve të tij kriminelë është e qartë”, thuhet në vijim të qëndrimit.

PD deklaron se kur drejtësia kërkon arrestimin e Saimir Tahirit, Edi Rama e kap drejtësinë, kur ligji zbatohet për të larguar kriminelët nga parlamenti, Edi Rama godet ata që zbatojnë ligjin.

“Që sot, me shkarkimin e prokurores Rovena Gashi si hakmarrje për Aqif Rakipin, krimi ka filluar të godasë shtetin përmes shtetit!​”, nënvizohet në mbyllje të qëndrimit. /a.y/noa.al