Transmetuar më 29-12-2017, 18:18
Publicitet

Pak ditë nga dekreti i presidentit, Ilir Meta, që i dha nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastas Janullatos, klerikët e Mitropolisë së Korçës i kanë dërguar një letër kreut të shtetit.

Në letër shkruhen fjalë falenderuese për vendimin që mori Meta, duke e quajtur aktin si simbolikë që ka gëzuar besimtarët për Krishtlindje.

Edhe pse ata e quajnë të vonuar marrjen e nënshtetësisë shqiptare, klerikën vlerësojnë kontributin e Janullatos.

"Ky akt, ishte jo vetëm realizim i një drejtësie të munguar, por edhe një mirënjohje për kontributin e paimagjinueshëm, që Kryepiskopi Anastas ka dhënë në ringritjen nga gërmadhat të KOASH, por edhe për përhapjen e imazhit dhe njohjes së saj në gjithë botën.

I cili, me sakrifica të shumta, vetëmohim dhe durim ka lartësuar emrin e Kishës dhe Komunitetit Orthodhoks në gjithë këto vite. Me fjalën e tij gjithmonë të ndierë, dashuri-prurëse dhe paqe-krijonjëse dhe më së shumti me veprën e tij", thuhet në letrën e klerikëve, dërguar presidentit Meta.

Ky i fundit, u bë i pari president që i dha nënshtetësinë shqiptare Anastas Janullatosit, pasi paraardhësit e tij nuk e kishin marrë një vendim të tillë. /k.k/noa.al/