Transmetuar më 30-12-2017, 13:35

“Jam homoseksual dhe jam një prift katolik”. Është ky rrëfimi i pazakontë i një prifti amerikan në Wisconsin, Gregory Greiten, 52 vjeç, i bërë përpara besimtarëve të kishës së Saint Bernadette Catholic Parish në Milwaukee, rreth dhjetë ditë më parë.

Prifti pranoi se ka jetuar për vite të tëra me turp, por pavarësisht se e kishin këshilluar që të mos e tregonte homoseksualitetin e tij, vendosi që të dalë hapur.

Por, At Gregory Greiten nuk ka asnjë plan që të lërë priftërimin, megjithëse rrëfimi i tij ngjalli indinjatën e shumë priftërinjve.

‘New York Times’ dhe ‘National Catholic Reporter’, shkruajnë fjalën e tij se, “Priftërinjtë e kishës katolike romane në botë, duhet të inkurajojnë thyerjen e mureve të heshtjes dhe të thuhet e vërteta lidhur me identitetin seksual. Do të angazhohem që të mos jetoj në hijen e sekretit. Në seminar më kanë mësuar se homoseksualiteti është diçka çnderuese dhe se duhet ndëshkuar. Gjatë vitit tim të fundit si frat u mbajt një studim, për të identifikuar studentët seksualisht aktiv. Pasi u pyeta, m’u tha se nëse do kapesha duke folur kështu me të tjerët, do dëbohesha nga shkolla. Për shkak të kulturës së trupit dhe sekretit lidhur me çështjet seksuale, studentët jetojnë në frikë dhe detyrohen të qëndrojnë në heshtje. Në fund nuk durova më dhe pranova se jam gay”. /a.y/noa.al