Transmetuar më 30-12-2017, 13:47

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha u takua me kreun e Partisë Demokratike në Londër, Naim Hasani, i cili e informoi për vendimin e Gjykatës Supreme Britanike, që i hap rrugë mbajtjes së shtetësisë britanike me identitetin e vërtetë për të gjithë shqiptarët që kanë fituar shtetësinë britanike si kosovarë.

Basha tha se ky është një vendim historik që u shërben shumë familjeve shqiptare.

“Z. Hasani më informoi mbi vendimin historik të datës 21 dhjetor 2017 nga Gjykata Supreme Britanike, e cila ka hedhur poshtë urdhrat e Ministrisë së Brendshme Britanike të vitit 2013, që në mënyrë automatike u hiqnin shtetësinë britanike dy shtetasve shqiptare për shkak se ishin regjistruar si shtetas te Kosovës, dhe ka konfirmuar se ata janë shtetas britanike me identitetin e tyre shqiptar”, shkruan Basha në Facebook.

Ai shton se Gjykata Supreme ka vendosur gjithashtu në mënyrë të qartë se edhe personat e tretë, siç janë fëmijët e tyre, duhet të qëndrojnë shtetas britanikë.

Kreu i opozitës nënvizon se, ky është një vendim me rëndësi jetike dhe një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët në Britani dhe familjet e tyre, që ndodhen në situatë të ngjashme ligjore.

“E përgëzova z. Hasani për punën e tij shumëvjeçare që u kurorëzua me këtë fitore ligjore të përmasave historike, dhe e uroj atë dhe çdo bashkëqytetar qe i gëzohet fryteve të këtij vendimi jetik për shumë shqiptarë në Britani dhe familjarët e tyre”, shkruan Lulzim Basha.

Kujtojmë se kryetari i PD Londër, Naim Hasani, është avokat i çështjes së fituar në Gjykatën Supreme Britanike më 21 Dhjetor 2017. Ai është, gjithashtu, avokati i parë shqiptaro-britanik, që ka mbrojtur një çështje ligjore para Gjykatës Supreme Britanike. /a.y/noa.al