Transmetuar më 30-12-2017, 15:13

Pas grushtit të dështuar të shtetit, në korrik të vitit 2016, tetë ushtarë u arratisën në Greqi.

Njëri prej tyre ka përfituar azil politik. Bëhet fjalë për pilotin e dytë të helikopeterit me të cilin tetë ushtarakët u futën në hapësirën ajrore greke.

Vendimi për të është dhënë ditën e sotme nga autoritetet e vendit fqinj.

Komisioni i shkallës së dytë gjykoi se, sipas organizatës Amnesty Inernational, konventave ndërkombëtare, Këshillit të Europës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, situata në Turqi, pas tentativës për grusht shteti, është “e papranueshme”, sa i përket të drejtave të njeriut.

Po ashtu, ky komision argumenton se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se piloti kishte pjesëmarrje në tentativën për grushtin e shtetit.

Përkundrazi, thekson se Turqia kërkon ekstradimin e tij për “krime politike” dhe prandaj ai nuk mund të ekstradohet në vendin e tij, aq më tepër që “nuk do të ketë një proces të drejtë gjykimi”.

Shtatë ushtarakët e tjerë vazhdojnë të mbahen në një rajon policie në periferi të Athinës, në pritje të përgjigjes ndaj kërkesës së tyre për azil. /k.k/noa.al/