Transmetuar më 30-12-2017, 16:54

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar përfundimin e 3 muajve të aksionit antiinformalitet. Tatimet kanë bërë të ditur edhe disa nga rezultatet kryesore të aksionit si dhe ecurinë e procesit të faljes fiskale, i cili mbyllet sot.

Si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur është 19.7 mld lekë (rreth 144 milionë euro) dhe përdorimi i kredisë për shlyerjen e detyrimeve në nivel principali është në vlerën 2.8 mld lekë. Më shumë se 41 mijë tatimpagues kanë përfituar.

Ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku gjatë kësaj periudhe numri i subjekteve që kanë reaguar pozitivisht  është 3,410 dhe vlera është 2.8 mld lekë.

Tatimet njoftojnë se janë verifikuar 27,435 subjekte ku 19% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar. Janë futur në skemën e sigurimeve gjatë 12 javëve të para të aksionit 1,013 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbylluar 568 subjekte të paregjistruar në organet tatimore dhe për shkelje të tjera për moslëshim kuponi për herë të dytë. Janë regjistruar 5,472 subjekte të reja.

Për 12 javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 18,099 kontrolleve. Qendra e thirrjeve ka vijuar të ofrojë shërbimet në numrin e vënë në dizpozicion për çdo problematikë dhe suport ndaj çdo tatimpaguesi. (e.c/noa.al)