Transmetuar më 30-12-2017, 17:48

Të gjithëve na ka rastisur të shohim qytetarë që blejnë syze optike në rrugë duke neglizhuar vizitat tek mjeku specialist.Përdorimi i këtyre syzeve, që i gjejmë farë pranë vendit ku jetojmë, në stendat e vendosura në lagje apo rrugë, sipas specialistëve çon në dëmtim të shikimit, deri në verbëri, raporton Klan Plus.

“Syzja jo origjinale, sjell tharje të kornesë, sjell turbullim të shikimit, sjell veshje të syrit, dhimbje koke dhe marrje mendsh. Tek moshat e vjetra, krijon vështirësi dhe shton gradualisht plakjen e syrit”.

Mjekja Anila Gjergji, thotë se edhe syzet e diellit që blihen në rrugë shkaktojnë probleme afatgjata.

“Syzet e diellit të pa testuara që nuk kanë filtra mbrojtës UVA, shpërfytyrojnë imazhin, ngjyrën e dritës edhe të syrit, nuk perceptojnë dritën normale, ka një errësim në xham dhe një deformim të objektit. Më mirë të mos vendosni fare syze dielli, sesa të vendosni syze të tilla që shkaktojnë dëmtime shumë herë më të thella që ju vetë nuk i shikoni për momentin”.

Shitësit në rrugë shprehen se qytetarët i blejnë këto syze për shkak të çmimit të tyre të lirë.

“Marin të thjeshta, syze 2-3 mijë lekëshe, sa për të lexuar një gazetë”.

Por a e përballojnë dot qytetarët shqiptarë të blejnë një palë syze optike të vërteta nisur nga çmimi i lartë të tyre, krahasuar me nivelin e jetesës në vendin tonë ?

“Unë them që kanë mundësi për të realizuar një palë syze ekonomike, jo të markave të shtrenjta, por që të jenë të testuara për sa i përket edhe xhamit”.