Transmetuar më 31-12-2017, 07:54
Publicitet

Ish ­zv/drejtori i dytë i Burgjeve, Bledar Skënderi ka dëshmuar ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda për çështjen ndaj ish-drejtorit Artur Zoto. Ky i fundit akuzohet për “korrupsion” dhe “shkelje të barazisë në tenderë” dhe prej muajsh qëndron prapa hekurave. Por ndryshe nga ish-zv/drejtori tjetër, Iljaz Labi, Skënderi ka paraqitur në Gjykatë një panoramë krejt tjetër të marrëdhënieve mes të akuzuarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Në dëshminë e tij, Skënderi ka thënë se Iljaz Labi nuk vinte rregullisht në punë dhe se shpeshherë ankohej se i merreshin kompetencat, si nga kolegu i tij ashtu edhe eprori Zoto. Skënderi ka rrëfyer se marrëdhëniet mes Labit dhe Zotos nuk kanë qenë miqësore, në një kohë që bashkëpunëtori i drejtësisë, disa seanca më parë, ka thënë se me Zoton shkonte shumë mirë.

“Unë kam mbajtur detyrën e ishzv/drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për periudhën kur ka ndodhur shkelja. Organizimi i Drejtorisë së Burgjeve ishte i tillë me dy zv/drejtorë krahas drejtorit të përgjithshëm. Sa i përket Iljaz Labit, unë e kam gjetur në detyrë kur u emërova në atë pozicion. Ai kishte katër vjet që punonte aty dhe nuk e kam njohur më pare. Në vitin 2016, ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për Burgjet. Gjatë kësaj kohe rrinim deri vonë në punë, por nuk kam pasur kohë të njihem dhe të krijoj marrëdhënie shoqërore me të”, ka thënë Skënderi, duke iu referuar marrëdhënieve me Labin.

I pyetur për marrëdhëniet mes Artur Zotos dhe Iljaz Labit, ai ka thënë se shpeshherë ka pasur ankesa nga ana e Iljaz Labit për kompetencat në detyrë. “Artur Zoto nuk kishte marrëdhënie të mira me Labin. As unë nuk kam pasur marrëdhënie të mira me të. Ai shpesh ankohej se i merrnim kompetencat, ndërkohë që ai nuk vinte sa herë në punë. Ne ishim të detyruar t’i merrnim për të bërë punën. Në dijeninë time, Artur Zoto nuk ka pasur asnjë marrëdhënie tjetër me Labin jashtë detyrës”, është shprehur dëshmitari i mbrojtjes, shkruan “panorama”

Ndërsa Iljaz Labi, në dëshminë e tij përpara Gjykatës, disa seanca më parë, ka thënë se ai dhe Zoto kishin marrëdhënie të mira dhe se me të kishte komunikuar edhe në telefon. I pyetur në lidhje me tenderin, për të cilën akuzohet Artur Zoto, atë të furnizimit të burgjeve me vezë dhe bulmet, Skënderi tha se nuk ishte në dijeni të këtij tenderimi pa shpallje dhe se informacionet kryesore i ka marrë në media. Gjithashtu, ai ka shtuar se me pjesën e financave apo pjesën ekonomike në tenderë merrej Iljaz Labi dhe nuk ka qenë asnjëherë në kompetencë të tij, panorama.,

Në dëshminë e tij në Gjykatë, Iljaz Labi pati thënë se ishte Zoto ai, që e përfshiu në tenderin korruptiv. Ai pati thënë se Zoto e njohu me dy biznesmenët e përfshirë në aferë dhe se ai vetëm sa mori 20 milionë lekë të vjetra te biznesmeni Shemsi Sinani, të cilat ia dha Zotos në zyrë. Sipas Labit, Zoto i kishte premtuar se do t’i jepte 20 % të shumës, por nuk ia dha. Labi ka thënë se e pranon veprën penale dhe është gati të mbajë përgjegjësi për këtë. “Zoto më vuri në dijeni të faktit për këtë procedurën e ndërmjetësimit për vezët dhe bulmetin. Më tha do të merresh ti, siç e sqarova më parë dhe unë i thashë se, pa problem, merrem unë me këtë gjë. Procesi ishte më i thjeshtë se tenderët, pasi ishte brenda për brenda institucionit. Ai më porositi që të takoja Ylber Kalanë dhe se do të merrja 20 % nga kjo punë. Me Ylberin kisha folur edhe disa herë më parë. Unë i thashë se ishte “OK” për mua dhe se mund ta bëja këtë gjë”, pati thënë Labi në përballjen me ish­shefin e tij.