Transmetuar më 31-12-2017, 12:15

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një dalje publike për mediat nga Spitali i Traumës deklaroi se duke nisur nga sot, deri në datën 2 janar stafi mjekësor është në gadishmëri për mbarëvajtjen e situatës.

Ajo theksoi se për t'i paraprirë çdo rreziku gjatë festimeve të ndërrimit të viteve, do të ketë staf të shtuar të bluzave të bardha.

"Nga sot deri në dy janar të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo emergjencë. Jemi tek Trauma, që përballon situata të tilla. Kemi vendosur në dispozicion spitalet, me staf të shtuar dhe janë marrë masat për emergjenca të shtuara. Madje kemi furnizuar edhe me barna dhe pajisje. Në Tiranë janë shtuar edhe 5 pika ku do të ketë grumbullime të qytetarëve për festimet.

Situata paraqitet e qetë aktualisht por masat janë marrë dhe stafi i mjekëve është në gatishmëri. Doja të falënderoja ekipet mjekësore dhe infermierore që do të jetë në krye të detyrës dhe urime për vitin e ri që punojnë me kaq krenari", tha Manastirliu. /b.l/noa.al/