Transmetuar më 31-12-2017, 12:25
Publicitet

Kremtimi i Vitit të Ri është një nga festat më tradicionale që mbledh bashkë familjarë, miq e shokë. Agjencia e Lajmeve Noa, iu uron gjithë shqiptarëve ku që janë "Gëzuar Vitin e Ri 2018". Të shumtë janë shqiptarët që preferojnë ta kalojnë këtë festë në shtëpitë e tyre, duke pritur akrepat e orës të shkojnë në 12 (00:00), por prej vitesh tashmë janë shtuar edhe njerëzit të cilët zgjedhin që këto festa ti kalojnë në lokale dhe restorante.

Por si lindi Viti i Ri, ritet dhe besimi

Viti i Ri prezanton ripërsëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e saj, edhe pse m,e shekuj kanë pësuar modifikime, ato, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat e tyre esenciale.

Viti i Ri është festë: e gjendjes së mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.

Kremtimi i Vitit të Ri është njëra ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marrë parasysh racën, fenë, kombin dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se kremtimin e festës së Vitit të Ri, fillimisht e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë e ka zanafillën e vetë nga romakët e vjetër dhe gjermanët.

Natën e ndërrimit të viteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, shumë popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.

Tradita kubane për natën e ndërrimit të viteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve të një lloj peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit pasues.

Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri të sigurohet sa më shumë llojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti i ri që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmje.

Në traditën e popujve gati në të gjithë botën fëmijët e lindur në 1 janar konsiderohen si fëmijët më fatlum në botë.

Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe afërsisë me atë person edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.

Njeriu i parë i cili do t'ju hyjë në shtëpi pas mesnate besohet se si gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë atë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t'ju sjell shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet e juaja gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Virit të Ri t'i paguani të gjitha borxhet që keni, sepse kështu viti që vjen do t'ju sjell fillim të mbarë në të gjitha fushat e jetës.

Portofolat mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t'ju përcjellë më shumë begati dhe pasuri financiare.