Transmetuar më 31-12-2017, 14:05
Publicitet

Urgjenca Mjekësore Kombëtare dhe spitalet në të gjithë Shqipërinë do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi sot stafin mjekësor në urgjencën e QSUT dhe Spitalit Universitar të Traumës.

“Duke filluar nga sot, deri më datë 2 Janar kemi vendosur shërbim të përforcuar të urgjencës në spitale 24 orë në 24. Jemi sot në spitalin e Traumës, pasi këtu përballohen urgjenca nga e gjithë Shqipëria. Por duhet theksuar se janë në gadishmëri të gjitha spitalet e Tiranës -Trauma, QSUT, Shefqet Ndroqi dhe 2 maternitetet si dhe spitalet rajonale dhe ato bashkiake”, tha Manastirliu.

Ministrja deklaroi gjithashtu se është riorganizuar për këto ditë festash shërbimi i urgjencës në territor.

“Janë 127 autoambulanca që janë në gadishmëri me ekipet mjekësore në të gjithë vendin. Në Tiranë do të jenë 5 pika dhe 8 ekipe urgjence në terren, pranë sheshit Nënë Tereza dhe sheshit Skënderbej, në Kombinat, rrugën e Kavajës, në ish-Urgjencën e Tiranës si dhe në Qendën Kombëtare të Urgjenës, pranë spitalit të Traumës. Në çdo qendër qyteti në Shqipëri. kudo ku ka festime, është stacionuar një autoambulancë”, tha ajo.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi dhe furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore të ndihmës së shpejtë në të gjitha spitalet.

Manastirliu bëri një falenderim të posaçëm për të gjithë stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë për qytetarët që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor në këto ditë festash.​ /a.y/noa.al