Transmetuar më 31-12-2017, 14:55

Kryeministri Edi Rama është shndërruar në Babagjyshin më të veçantë të Vitit të Ri, duke surprizuar dy persona në mënyrën më të veçantë të mundshme.

Ai është bërë pjesë e emisionit “E diela shqiptare” në Tv Klan, ku një nënë tregoi historinë e djalit të saj Leo, i cili iu është nënshtruar me dhjetëra operacioneve, për shkak se ka probleme në kockat e këmbëve dhe nuk mund të ecë.

Aktualisht ai ecën me karrocë me rrota dhe ka nevojë për fizioterapi.

Kreu i qeverisë i veshur si plaku aq i dashur i Vitit të Ri, hyri në studio dhe emocionoi vogëlushin kur i premtoi se çdo ditë do e presë taksia për ta shoqëruar në shkollë.

Ai i garantoi fizioterapi falas në mënyrë që rikuperimi i të voglit të jetë sa më i shpejtë. Po ashtu ai u angazhua se do të bëhet e pamundura deri sa të bëhet shërimi i plotë i vogëlushit, i cili ëndërron të bëhet futbollist si Lionel Messi.

Kjo dëshirë e tij ka ardhur pasi ka dëgjuar se kur ishte i vogël, edhe Messi ka vuajtur nga një sëmundje si e tij.

Me letrën e vogëlushit në dorë, Rama i dhuroi edhe një kukull për motrën e vogël të Leos, vetëm disa muajshe.

Por Babagjyshi Rama nuk u ndal me kaq, ai surprizoi edhe një vajzë e cila punon në një qendër për komunitetin rom dhe që kohë më parë e kishte pasur të pamundur të gjente punë, por se i ishte thënë se mund të punonte vetëm si pastruese.

Babagjyshi u zotua se do i çojë fjalë Kryeministrit Edi Rama dhe se do e bëjë këshilltare të ministrit për Çështjet Sociale.

Kjo bëri që e reja të përfundojë në lot dhe të mos e besojë, deri kur babagjyshi hoqi kapelen dhe mjekrën duke treguar se ishte vetë Kryeministri.

Po ashtu ai i premtoi se po sot do të shkonin në qendrën ku e reja punonte dhe do u shpërndanin dhurata për të vegjlit e komunitetit rom. /a.y/noa.al