Transmetuar më 31-12-2017, 17:02

Një burrë u rikthye në shtëpinë e tij 7 muaj pasi ishte deklaruar i vdekur dhe ishte varrosur me djegie, duke i lënë familjarët e tij të shtangur.

Ata besonin se Sakorn Sacheewa, 44-vjeç kishte vdekur si pasojë e një sëmundje dhe madje edhe e kishin identifikuar trupin. Por më 17 Dhjetor, familja u vu në dyshime serioze, pasi burri u shfaq në shtëpinë e tij në Ban Lao Fai, Tailandë, shkruan tv klan.al

Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Mirror”, që citon mediat lokale, gjysmë vëllai i tij kishte mbetur i tronditur. Ai tregoi se policia kishte kontaktuar me familjen e tij 7 muaj më parë për ta informuar se Sacheewa kishte vdekur ndërkohë që jetonte i vetëm dhe se ata kishin shkuar për të marrë trupin.

Trupi që familja kishte identifikuar kishte qenë tejet i fryrë dhe thuajse i paidentifikueshëm. Madje një prej të afërmve të burrit kishte dalluar se dhëmbët përpara nuk përkonin me atë të njeriut të tyre, por oficerët e policisë kishin insistuar së bëhej fjalë për Sacheewa.

Kur 44-vjeçari shkoi në shtëpi, familjarët e tij ishin kaq të shokuar sa besonin se ai ishte fantazmë. Sacheewa tha se që prej Janarit të shkuar kishte punuar në një anije peshkimi. Ai beson se gjatë kësaj kohe, një punonjës i kishte vjedhur kartën e tij të identitetit dhe ishte arratisur.

Ai u rikthye në shtëpi vetëm pasi kishte lënë punën, kur edhe zbuloi se familja e tij besonte se kishte vdekur. Mbetet e paqartë trupin e kujt kanë varrosur familjarët e tij.