Transmetuar më 31-12-2017, 19:02
Publicitet

Kryeministri Edi Rama gjatë muajve të fundit tërhoqi vëmendjen për shkak të ndryshimit të stilit të tij të veshjes, ku edhe në takimet zyrtare shfaqej me atlete të bardha.

Pikërisht ky detaj i tij ka tërhequr vëmendjen e sajtit italian Corriere.it, i cili shkruan për kreun e qeverisë shqiptare, duke e zgjedhur Edi Ramën si personazhin e vitit për shkak të veshjes së tij.

“Kryeministri shqiptar dhe takimet zyrtare me atlete”, titullohet shkrimi dedikuar Kryeministrit shqiptar.

Në të thuhet se disa ditë më parë Kryeministri shqiptar u shfaq i veshur me atlete në një darkë me mësuesit më të mirë të vendit, ku atyre u tha: “Jam veshur kështu për solidarizim me mësuesit e edukimit fizik”.

Shkrimi vijon më tej duke thënë se pavarësisht pyetjeve të ndryshme për këtë stil veshje, e vetmja gjë e sigurt është se prej disa muajsh, “Kryeministri Rama, artist, basketbollist, lideri socialist, dhe prej vitit 2013 Kryeministër i Shqipërisë, shfaqet në takime zyrtare i veshur me atlete. I vetmi në skenën politike”.

Më tej ndalet në samitin e fundit në Trieste për vendet e Ballkanin Perëndimor, në korrikun e këtij viti.

Në atë takim Rama takoi homologun italian Paolo Gentiloni, i veshur me atlete të bardha. Me të njëjtat atlete, Rama u takua edhe me Presidentin francez Emmanuel Macron. Sakaq me një palë atlete të tjera, por këtë herë të zezë, u paraqit në një takim të udhëheqësve të Ballkanit në Bruksel, me ftesë të Federica Mogherinit.

Po ashtu ndalet edhe në stilin e veshjes së tij gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit, ku hoqi totalisht kostumin dhe kravatat duke u shfaqur me tuta dhe bluza sporti.

Shkrimi shoqërohet edhe me disa fotografi ku ilustrohet veshja e Ramës. /a.y/noa.al