Transmetuar më 31-12-2017, 19:41

“Mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma. Unë jam shqiptar”.

Këto janë ndër fjalët e vetme që aktori i njohur turk Togla Ortancil di t’i flasë në shqip, ndonëse prejardhja e tij është shqiptare.

Togla Ortancil, i cili këtë vit vizitoi për herë të parë Kosovën, tregon se pavarësisht fjalëve të pakta që di nga gjuha shqipe, ai nuk e ka harruar vendin e origjinës.

Në një intervistë për Klan Kosovën, Ortancil tregon se është me prejardhje nga Gjakova, dhe se gjyshi i tij ka qenë inicues i ndërtimit të teqeve.

“Babai im është nga Gjakova. Gjyshi im, Shejh Mahmuti, ka qenë njëri nga themeluesit e teqeve në Gjakovë dhe në Prizren”.

“Teqetë kanë rëndësi të madhe për myslimanët turq dhe shqiptarë. Për mua, të jesh shqiptar është e barabartë me nocionin ‘i pavarur’”.

“Për këtë arsye, unë jam krenar që një pjesë e imja është shqiptare”, ka thënë aktori.

Ai është në dijeni se fenomeni i serialeve turke e ka përfshirë edhe Kosovën.

“E di se serialet turke kanë shikueshmëri të madhe në Kosovë. Edhe unë kam shumë adhurues shqiptarë”.

Ortancil është një prej aktorëve të njohur  në Turqi, ndërsa famën më të madhe e arriti në serialin të quajtur “Guzel Koylu”, i cili kishte publik të madh edhe në trevat shqiptare.

Një rol në serialin “Kuzey Guney” bëri gjithashtu që ai të shënonte një tjetër rritje në karrierë.

Tolga vazhdon të jetë mjaft i angazhuar me projekte në kinematografinë turke, ndërsa ka treguar që ka shumë plane dhe surpriza për të ardhmen.

“Kam plane. Jam në komunikim e sipër me menaxherin tim. Kemi shumë projekte”.

“Kenan İmirzalıoğlu dhe Kıvanç Tatlıtuğ janë ndër aktorët turq që unë i preferoj, por  nuk kam pasur rastin ende t’i takoj”.

Tolga Ortancil premtoi se do ta vizitojë më shpesh Kosovën.