Transmetuar më 01-01-2018, 10:08

Viti i ri nis me mot të kthjellët në pjesën më të madhe të Shqipërisë, duke vazhduar kjo situatë deri në mesditë, pasi më tej shfaqen vranësirat.

Kurse ditën e dytë të vitit, priten edhe shira lokalë.

Për më shumë ndiqni parashikimin e motit nga NOA dhe Meteoalb për sot dhe nesër.

E hënë – dt. 1 janar: Dita nis e kthjellet por duke iu afruar mesditës vranësirat shfaqen në Veriperëndim e gradualisht shtrihen në pjesën më të madhe të vendit. Pasditja shton vranësirat në territor duke sjellë reshje të pakta në ekstremet Veri – Jug dhe zonat Lindore deri në orët e natës kur reshjet intensifikohen përkohësisht në pjesën më të madhe të vendit.

E martë – dt. 2 janar: orët e para të ditës mbeten me vranësira e reshje të pakta në Veri – Qendër ndërsa reshje të izoluara në pjesën tjetër të vendit. Mesdita dobëson vranësirat duke izoluar shirat në Veriperëndim - Jugperëndim dhe dëborë të pakët në zona të izoluara në Veri dhe Lindje duke lënë pjesën tjetër të territorit shqiptar me kthjellime e vranësira kalimtare

TABLOJA TERMIKE: ditët e para të vitit 2018 sjellin rritje të lehtë në të dy ekstremumet termike të së hënës por e marta nuk sjell ndryshime të ndjeshme të tyre; ekstremumet termike do luhaten nga -3°C mëngjesi në zonat malore deri në vlerat 13 – 14°C, gjatë mesditës në ultësirën perëndimore.